Partitë shqiptare përdorën më së shumti fenë në fushata zgjedhore, më e favorizuar nga bashkësitë fetare VMRO-ja dhe BDI-ja

Partitë shqiptare përdorin fenë në fushatat politike më shumë se partitë maqedonase, me BDI-në që kryeson (mesatarja 2.73) dhe koalicionin VLEN menjëherë pas saj (2.65), tregon anketa e re e opinionit publik realizuar nga Instituti për Kërkime Politike-Shkup (IPIS), portali Religija.mk dhe Fondacioni Konrad Adenauer (KAS). Megjithatë, shumica e qytetarëve nuk e aprovojnë përdorimin e fesë në politikë dhe 68.3% e tyre janë kundër përdorimit të simboleve fetare në fushatë. Edhe pse partitë shqiptare perceptohen si të lidhura më shumë me elemente fetare, vetëm një pjesë e vogël e qytetarëve ndikohet nga kjo në vendimin e tyre për votë. Nga ana tjetër, partitë maqedonase shënojnë nivel pak më të ulët të përdorimit të fesë, ku VMRO-DPMNE ka rezultatin më të lartë në bllokun maqedonas (2.34). Gjithsesi, gjysma e qytetarëve mendojnë se feja vazhdon të ketë ndikim në proceset politike në vend, raporton Portalb.mk.

“Fushata parazgjedhore për zgjedhjet lokale nuk kaloi pa përdorimin e fesë dhe ndjenjave fetare të qytetarëve, me qëllim tërheqjen e më shumë votave në zgjedhje”, thuhet në raportin e anketës.

Pothuajse çdo i treti i të anketuarve u përgjigj se feja është përdorur ose se është përdorur në një farë mase në funksion të mbledhjes së votave parazgjedhore. Edhe pse përqindja e të anketuarve që besojnë se feja është përdorur në fushatën e zgjedhjeve të fundit është ende relativisht e lartë, nga të dhënat krahasuese me hulumtimet e mëparshme, mund të vërehet një trend i rënies së këtij procesi.

Ndryshe nga partitë, të cilat e përdorin fenë në fushatat zgjedhore, ngjashëm me hulumtimet e mëparshme, vetëm një pjesë relativisht e vogël e qytetarëve thanë se përdorimi i fesë në fushatë kishte ndikim në zgjedhjen e tyre se për kë do të votonin. Një përqindje e lartë prej 75% u përgjigjën se feja nuk kishte rol në zgjedhjen e tyre, ndërsa për 16% kishte ndikim.

Burimi: Instituti për Kërkime Politike-Shkup (IPIS), portali Religija.mk dhe Fondacioni Konrad Adenauer (KAS)
Burimi: Instituti për Kërkime Politike-Shkup (IPIS), portali Religija.mk dhe Fondacioni Konrad Adenauer (KAS)

“Hulumtimi tregon se përdorimi më i lartë i fesë në fushatat politike, në bllokun maqedonas, është i dukshëm te VMRO-DPMNE me një rezultat mesatar prej 2.34 (5 është më i larti për përdorim), te LSDM 1.84 dhe përdorimi më i ulët i fesë është regjistruar te Levica me rezultat mesatar prej 1.74. Partitë shqiptare, nga ana tjetër, kanë matur një përdorim më të lartë të fesë në fushatat zgjedhore, me BDI që ka një rezultat mesatar prej 2.73 dhe VLEN 2.65. Rezultati mesatar i përgjithshëm i qytetarëve për përdorimin e fesë dhe ndjenjave fetare në fushatën zgjedhore nga kandidatët e pavarur në zgjedhjet e fundit lokale është 1.9”, thuhet në raport.

Një nga format më të zakonshme të kombinimit të politikës dhe fesë, e cila u vu re në zgjedhjet e fundit lokale, është kërkesa e disa pjesëmarrësve në fushatë për bekime nga përfaqësuesit fetarë. Megjithatë, hulumtimi tregon se një numër i madh qytetarësh nuk i miratojnë veprime të tilla. 64.2% e të anketuarve u përgjigjën se një kërkesë e tillë është e papranueshme për ta, dhe 21.1% e shohin atë pozitivisht.

Qytetarët janë kundër përdorimit të fesë dhe simboleve fetare në një fushatë politike. Ky qëndrim ndahet nga 68.3% e të anketuarve.

“Më shumë se gjysma e qytetarëve maqedonas do të votonin për një politikan të një feje të ndryshme nga e tyre, megjithëse për një numër të madh qytetarësh feja të cilës i përkasin politikanë të caktuar ende luan një rol vendimtar në mbështetjen e një opsioni të caktuar politik që ata përfaqësojnë. Megjithatë, përqindja e të anketuarve që besojnë se feja ka ndikim në proceset politike në shoqëri mbetet e lartë. 50% e të anketuarve u përgjigjën Po dhe Deri diku Po, megjithëse duhet theksuar se ka një rënie të caktuar të këtyre perceptimeve krahasuar me hulumtimet e mëparshme”, tregon anketa.

24.3% e të anketuarve besojnë se bashkësitë fetare favorizuan një parti të caktuar në këto zgjedhje lokale, ndërsa 33.9% nuk ​​e njohën një gjë të tillë. Në pyetjen shtesë Cila? për ata që u përgjigjën pozitivisht, 27.4% besojnë se VMRO DPMNE ishte e favorizuar, 26.3% BDI, 21.2% VLEN dhe vetëm 1.1% se LSDM ishte e favorizuar.

Hulumtimi u krye pas zgjedhjeve lokale në nëntor 2025. Ky hulumtim përfshinte 1.128 të anketuar, duke ruajtur raportin e përgjithshëm në aspektin e karakteristikave themelore demografike si gjinia, mosha, profesioni dhe arsimi.

Përndryshe, nëpërgjithësi partitë politike kudo ndër vite kanë përdorur fenë për të afruar votuesit dhe për të fituar avantazh në fushata, pavarësisht kritikave të vazhdueshme se kjo praktikë dëmton ndarjen mes fesë dhe politikës. Në shumë raste, feja është shfrytëzuar në aspekt emocional ose kulturor për të forcuar mesazhet politike. Megjithëse kjo qasje ka dhënë rezultate të ndryshme, mbetet e qartë se përdorimi i fesë për përfitime politike është një fenomen i pranishëm historikisht dhe që vazhdon të shfaqet, edhe pse qytetarët po tregojnë gjithnjë e më shumë dyshim për moralin e një veprimi të tillë.