Komuna e Likovës vazhdon me rikonstruimin e rrugëve, pavarësisht parregullsive të evidentuara nga Revizioni

Para disa javësh, Enti Shtetëror i Revizionit kreu revizion në Komunën e Likovës për vitin 2024, ku u konstatuan parregullsi në realizimin e aktiviteteve programore për vendosjen e pllakave të betonit në rrugë, trotuare dhe hapësira publike. Pavarësisht kësaj Komuna e Likovës vazhdon rikonstruimin e disa rrugëve dhe vendosjen e pllakave të betonit në disa fshatra, raporton Portalb.mk.

Punime në fshatin Orizare (06.12.2025). Foto e marrë nga faqja e Komunës së Likovës, rrjeti Facebook.
Punime në fshatin Orizare (06.12.2025). Foto e marrë nga faqja e Komunës së Likovës, rrjeti Facebook.

Pavarësisht parregullsive të konstatuara, Komuna e Likovës vazhdoi rikonstruimin e disa rrugëve dhe vendosjen e pllakave të betonit në disa fshatra. 

Pyetëm Komunën e Likovës për aktivitetet e fundit për rikonstruimin e rrugëve dhe a janë përgatitur projekte përkatëse sipas Ligjit për ndërtim, por deri në publikimin e këtij teksti nuk morëm përgjigje. 

Portalb.mk ju sjell një kronologji të punimeve në fshatrat e Komunës së Likovës, të publikuara në faqen zyrtare të kësaj komune pas publikimit të raportit të Revizionit.

Më 3 dhjetor, në fshatin Nikushtak u zhvilluan punime për asfaltimin e rrugës kryesore.

Më 4 dhjetor, kryetari i Komunës së Likovës, Erkan Arifi, ishte në terren për të inspektuar punimet infrastrukturore në fshatin Vaksincë. 

5 dhjetor, Arifi vizitoi fshatin Orizare për të parë nga afër ecurinë e punimeve të asfaltimit të rrugës.

6 dhjetor, komuna njoftoi se në kuadër të rregullimit të shtratit të lumit në fshatin Orizare, po kryhen punime për ndërtimin e shëtitores-trotuarit, vendosjen e ulëseve, ndriçimit dhe hapësirave së pushimores.

Punime në fshatin Nikushtak (03.12.2025). Foto e marrë nga faqja e Komunës së Likovës, rrjeti Facebook.
Punime në fshatin Nikushtak (03.12.2025). Foto e marrë nga faqja e Komunës së Likovës, rrjeti Facebook.

Sipas, Raportit të Entit Shtetëror të Revizionit të publikuar më 25 nëntor 2025, në Komunën e Likovës, realizimi i aktiviteteve për vendosjen e pllakave të betonit në rrugë, trotuare dhe hapësira publike në vitin 2024, për të cilat janë paguar mijëra denarë, bëhet në bashkëpunim me komunitetin lokal dhe qytetarët, pa dokumentacion të rregullt planifikimi, projekte apo leje ndërtimi, dhe me mungesë kriteresh të qarta për ndarjen e mjeteve financiare. 

“Realizimi i aktiviteteve programore për vendosjen e pllaka betoni në rrugë, trotuare dhe hapësira publike, për të cilat në vitin 2024 janë paguar 10.450 mijë denarë, realizohet në bashkëpunim me komunitetin lokal dhe grup qytetarësh, me çka komuna i siguron materialet e nevojshme, ndërsa komuniteti lokal dhe qytetarët i kryejnë të gjitha punët fizike. Rrugët e ndërtuara nuk janë parashikuar në dokumentacionin e planifikimit, nuk janë përgatitur projekte për ndërtimin e tyre dhe nuk janë lëshuar leje për ndërtim, të paraparë me Ligjin për ndërtim”, thuhet në raportin Enti Shtetëror i Revizionit. 

Kujtojmë se, banorët e fshatrave të Likovës vazhdimisht ankohen për gjendjen e rrugëve në vendbanimet e tyre.