Përça e sundo: Politika shqiptare në Maqedoninë e Veriut mes përçarjes dhe harresës historike

Shkruan: Zilal Shabani

Ky artikull nuk shkruhet për të mbrojtur asnjë parti politike dhe as për të sulmuar individë të caktuar. Ai buron nga nevoja ime si autor për të reaguar ndaj një modeli të përsëritur politik që, prej dekadash, po e dobëson faktorin shqiptar në Maqedoninë e Veriut: përçarjen e brendshme. Përtej fushatave dhe retorikës së momentit, ky shkrim synon të rikthejë vëmendjen te historia, përgjegjësia politike dhe pasojat afatgjata që këto përçarje lënë mbi shoqërinë shqiptare.

Përça e sundo: Politika shqiptare në Maqedoninë e Veriut mes përçarjes dhe harresës historike

Goditjet politike kanë vlerë vetëm nëse bëhen në momentin e duhur.

Partitë politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut po ballafaqohen vazhdimisht me një realitet historik të shqiptarëve: përça e sundo. Ky realitet nuk është i ri, por funksionon që nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë e deri më sot.

Pse e them këtë? Sepse, sa herë që fillojnë fushatat zgjedhore apo përgatitjet për to, partitë shqiptare nuk dalin me vizion për zhvillimin e qytetarëve, por fillojnë të sfidojnë dhe të sulmojnë njëra-tjetrën. Ndërhyrjet e një partie në tjetrën, përmes individëve të pakënaqur me pozicionin e tyre brenda partisë, bëhen shkak për përçarje të reja. Këta individë, të pakënaqur dhe shpesh të instrumentalizuar, detyrohen ose të shkëputen nga partia që përfaqësojnë, ose të krijojnë parti të reja.

Kështu fillon fërkimi politik, i cili jo rrallë përfundon në gjykata për të vendosur se kush është përfaqësuesi legjitim i partisë, kush e mban licencën, vulën dhe emrin. Kjo gjendje nuk ka ndodhur vetëm një herë, por është përsëritur vazhdimisht, që nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë e deri më sot.

Problemet e partive politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut nuk vijnë vetëm nga brenda, por shpesh edhe nga jashtë. Ndikimet nga shtetet fqinje janë të dukshme. Albin Kurti e kap VLEN-in për veshi dhe e çon kah të dojë, ndërsa Edi Rama mbretëron mbi BDI-në. Kjo nuk ndodh rastësisht, por është e parapërgatitur mbi teori të vjetra politike të Enver Hoxhës, Titos dhe Stalinit – teori që synonin përçarjen e shqiptarëve për t’i sunduar sa më lehtë.

Mjafton të kujtojmë thënien e famshme të Enver Hoxhës:

“Më mirë të hamë bar sesa të bashkëpunojmë me Amerikën.”

Kjo mendësi izolimi dhe përçarjeje, fatkeqësisht, ende reflektohet në politikën shqiptare të sotme.

Nëse i kthehemi zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut, më 19 tetor 2025, vihet re një fakt i rëndësishëm: partitë politike shumë pak dolën me tema për prosperitetin e qytetarëve dhe shumë më tepër me akuza për “shit-blerje”.

BDI-ja, si parti që lindi nga heroizmi kombëtar, në vend që ta forconte pozitën politike shqiptare, filloi t’i japë fuqi Mickoskit, duke përdorur metafora si:
“Shqiponjat nuk zihen me zagarë, sepse shqiponja fluturon lart në qiell.”
Mund të thuhet se kjo ishte pjesë e fushatës zgjedhore, por pyetja mbetet: çfarë përfitimi pati qytetari shqiptar nga kjo retorikë?

Fushata në raundin e dytë u përqendrua pothuajse tërësisht te “shit-blerja”. U hodh akuza se Bilall Kasami nga VLEN e kishte varfëruar buxhetin e Komunës së Tetovës për 2 milionë euro, duke e shitur Monopolin e Tetovës shumë lirë. Por, realisht, shumë pak qytetarë të Tetovës u prekën drejtpërdrejt nga fakti nëse komuna ishte “varfëruar” me 2 milionë euro.

Megjithëse akuzat për shitjen e Monopolit të Tetovës vazhduan, shit-blerja nuk ishte vetëm nga njëra anë. Në të njëjtën kohë, BDI-ja i bëri thirrje diasporës që të vinte të votonte për Bajram Rexhepin, apo më saktë për kandidatët e BDI-së. Autobusët u siguruan pa pagesë, pasi shpenzimet i mbuloi vetë BDI-ja. Pra, termi “shit-blerje” nuk ishte i njëanshëm, por i pranishëm nga të dyja palët.

Në këtë kontekst, motoja “Tetova as nuk shitet e as nuk blihet” doli të ishte një frazë boshe, sepse veprimet reale e mohonin mesazhin e saj.

Ajo që mungoi plotësisht ishte debati për vlerën historike të Monopolit të Tetovës. Pse nuk doli përfaqësuesi i BDI-së, Bajram Rexhepi, me fakte për ta kujtuar opinionin publik se Monopoli i Tetovës është monument i shqiptarëve të vrarë pa mëshirë nga udhëheqësit komunistë të asaj kohe?

Masakra e Tetovës – Monopoli i Duhanit (Nëntor 1944)

Në fund të tetorit dhe fillim të nëntorit 1944, pas hyrjes së forcave partizane jugosllave në Tetovë, filluan arrestimet masive të shqiptarëve nga qyteti dhe fshatrat përreth. Forcat e OZNA-s dhe brigadat partizane maqedonase rrethuan Monopolin e Duhanit, duke e shndërruar atë në kamp të përkohshëm internimi.

Mbi 10.000 shqiptarë u grumbulluan në ambientet e Monopolit në kushte çnjerëzore: pa ujë, pa ushqim dhe pa higjienë. Torturat fizike dhe psikologjike ishin të përditshme. Sëmundje si dizenteria dhe tifoja u përhapën me shpejtësi, duke shkaktuar qindra vdekje.

Një grup prej rreth 500 të rinjsh u nda me arsye të ndryshme dhe më pas u ekzekutua ose u zhduk pa asnjë gjurmë.

Këto janë temat që politikanët shqiptarë duhej t’i kishin në qendër të fushatës: historia, dinjiteti, drejtësia dhe e ardhmja e qytetarëve. Jo përplasjet e vogla partiake, të cilat vetëm sa e dobësojnë faktorin shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

Po ashtu, duhet të parashtrohet edhe pyetja: A është numri i partive politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut i tepruar? Apo duhet një reduktim, në mënyrë që cilësia e partive të bëhet më e dukshme për elektoratin?