E kërcënoi gruan dhe vajzat se do t’i vriste, paraburgim për burrin nga rrethi i Shkupit

Prokuroria e Shkupit filloi hetimet kundër një personi për veprën penale ‘Prodhim, mbajtje, ndërmjetësim dhe tregtim i paautorizuar i armëve ose materialeve shpërthyese’, sipas nenit 396, paragrafi 5, në lidhje me paragrafët 3 dhe 1 të Kodit Penal, transmeton Portalb.mk.

I dyshuari, më 13 janar, në shtëpinë e tij në Çuçer Sandevë, mbante pa leje automatikun STEN MKII, i cili është i ndaluar plotësisht për qytetarët, si dhe 71 fishekë me kalibër 9 mm Para, të përshtatshëm për përdorim me këtë armë automatike.

“Arma dhe municioni u gjetën në shtëpinë e të dyshuarit pasi gruaja e tij njoftoi policinë për këto gjëra, duke raportuar se i dyshuari i kishte kërcënuar atë dhe dy vajzat e tyre, të lindura në vitet 2006 dhe 2010, se do t’i vriste. Fillimisht, kërcënimet ishin drejtuar ndaj gruas që do ta digjte, pastaj ai shkatërroi mobiljet dhe me thikë kërcënoi edhe vajzat”, tha Prokuroria.

Për shkak të këtyre veprimeve, që shkaktuan ndjenjën e rrezikut dhe frikës te viktimat, ai dyshohet gjithashtu për veprën penale ‘Prezikimi i sigurisë, sipas nenit 144, paragrafi 3, në lidhje me paragrafi 1 të Kodit Penal.

Për shkak të rrezikut nga arratia dhe mundësisë që të kryejë përsëri veprën, prokurori ka dorëzuar te gjyqtari i procedurës paraprake pranë Gjykatës Themelore Penale në Shkup një propozim për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.

Prokuroria sot njoftoi edhe për një rast tjetër të dhunës, prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka nisur procedurë kundër një tjetër 51-vjeçari nga Shkupi, për të cilin ekziston dyshim i bazuar se ka kryer veprën penale ‘Lëndim trupor’, sipas nenit 130 paragrafi 2 në lidhje me paragrafin 1, si dhe Rrezikim të sigurisë, sipas nenit 144 paragrafi 3 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal. 

“Më 14 janar, në gjendje të dukshme të dehjes nga alkooli, i dyshuari e ka sulmuar partneren e tij në banesën në Gazibabë, ku ajo po qëndronte përkohësisht. Ai e ka goditur në kokë dhe trup, e ka shtrënguar për qafe dhe e ka kërcënuar edhe me thikë, duke e drejtuar atë drejt saj. Gruan kanë arritur ta shpëtojnë dy banorë të tjerë të së njëjtës shtëpi, të cilët e kanë nxjerrë jashtë dhe kanë thirrur policinë”, informoi Prokuroria. 

Te viktima janë konstatuar disa lëndime, përfshirë çarje në një brinjë dhe në kockën e kraharorit.