30 ditë paraburgim për inspektorin e tregut nga Strumica, i dyshuar për ryshfet

Gjykata Themelore në Strumicë, me propozim të prokurorit publik i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh një zyrtari, për të cilin ekziston dyshimi i bazuar se ka marrë ryshfet në dy raste si inspektor i tregut, transmeton Portalb.mk.

Prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike Strumicë ka lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetuese kundër një personi për të cilin ekziston dyshimi i bazuar për kryerjen e dy veprave penale – marrje e ryshfetit nga neni 357 paragrafi 1 i Kodit Penal.

“Si zyrtar – inspektor i tregut më të vogël, i dyshuari nga Strumica në dy raste drejtpërdrejt ka kërkuar dhe pranuar para nga Radovishi për të mos kryer veprimet zyrtare që është dashur t’i kryej”, kanë thënë nga Prokuroria.

Nga aty theksojnë se në rastin e parë gjatë kontrollit të datës 13 qershor ka konstatuar se personi juridik nuk ka pasur të regjistruar veprimtari zejtare, por për të mos konstatuar shkeljen ka kërkuar dhe ka marrë 100 euro nga pronari.

“Me datë 17 nëntor në një lokal afarist ka gjetur dy persona të cilët janë marrë me veprimtari berber pa qenë të regjistruar në regjistrin tregtar, si dhe u ka kërkuar 100 euro për të mos evidentuar kundërvajtjen në procesverbal. Meqenëse për momentin nuk kanë pasur aq para, ai është kthyer edhe dy herë në dyqan dhe prej tyre ka marrë nga 3.000 denarë”, sqarojnë nga Prokuroria.

Pas propozimit të prokurorit publik, gjyqtari i procedurës paraprake nga Gjykata Themelore në Strumicë të dyshuarit i caktoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh.