Për strehimoret e fundit të faqezinjëve

Teologu dhe filozofi John Wycliffe (1320-1384) dhe shkrimatari e moralisti Samuel Johnson (1709-1784), të dy anglezë, janë të parit që e kuptuan se padrejtësitë dhe krimet monstruoze ndaj njerëzimit janë bërë në emër të fesë dhe në emër të kombit.

John Wycliffe kritikoi hapur keqpërdorimin e fesë gjatë Mesjetës, kurse Samuel Johnsoni, njëri ndër intelektualët e guximshëm të kohës së tij, sfidoi keqpërdoruesit e atdhetarizmit me thënien e famshme: “Patriotizmi është strehimorja e fundit e faqeziut”.

Shoqëritë që nuk i përbuzin, por u japin poste renegatëve të paskrupullt të këtij soji rrezikojnë edhe kombin edhe besimin. Jo rastësisht një fjalë e urtë popullore thotë: Kur shterren lumenjtë, rriten përrojet, ndaj mjerë vilajetet pa lumenj që ndajnë fatin e mëhallës së prangosur midis përrojesh…, që kanë pamjen e faqezinjëve, të besimtarëve dhe patriotëvë të rremë.

Mjerisht, renegatët janë dhe fati i fisit tonë të madh, ndaj i kemi në të katër anët e Shqiptarisë, të barikaduar pa druajtje dhe me kokën lart nëpër zyrat pushtetare. Të tillët vijnë e bëhen shumicë në panairet e qenieve që kanë humbur vetveten dhe n’cirqet ku matrapazët u prijnë bete­jave fiktive mbi mullinjtë e erës, duke droguar për gjynah pacientët e marres sonë.

Etnitë e qytetëruara, ku mbretëron mirëqenia dhe drejtësia, nuk i konsumojnë fluskat që verbojnë buda­llenjtë dhe nxehin pa nevojë gjakrat e qenieve me nivel livadhi. Por, shkretishtja jonë është tjetër. Këtu tallja dhe keqpërdorimi i atdhetarisë dhe fesë është profesion i levërdishëm dhe himen prapa të cilit mund të bësh shumë lezete, mund të bësh emër, mund të bësh karierë, mund të bësh pasuri marramendëse dhe kurkujt kurgjë. Pra, gjithçka mund të bësh si renegat dhe sejmen i tjetrit.

Ekzistenca e faqezinjëve në fjalë është pasojë e mungesës së dashurisë për “Atme dhe Fe” dhe të kulturës inekzistente politike, që kanë mundësuar baltosjen dhe konvertimin n’pisllëk të njerëzve me dinjitet, vetëm pse nuk pranojnë të kullosin dhe të pinë ujë në shpinë të lugës.

Ata që duan t’studiojnë hollësitë e artit të makiazheve renegate, mund t’i shkelë “rimorkio me rërë” i traktorit të Teki Dërvishit… Apo edhe më zi: mund të mbeten pa varr, si Skëndërbeu, sepse filozofia jetësore e renegatëve ka në qendër thënien e Avrelij Avgustinit: “Të mundurit kurseji, krenarët zhbëji!”

Renegatët, si çdo gërdi tjetër, janë stemë e gjithkohshme. Ata nuk mposhten kollaj, sepse janë larë në ujërat e nëntokës. Ata janë dhe do të mbeten bosë prapa­skenash të epokave zgjebarake. Mjeti i vetëm që i bën të parrezikshëm është mungesa e pushtetit. Ndaj të tillëve askush nuk u jep pushtet.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.