Për shkak të ndryshimeve të Kodit Penal, Zekiri do të ndiqet për vepër që parashikon dënim më të butë

Gjykimi për ish sekretarin e përgjithshëm të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut filloi nga e para pasi që për shkak të ndryshimeve të Kodit Penal është rikualifikuar akuza për “Keqpërdorim të Detyrës Zyrtare” sipas nenit 353. Zekiri, paraprakisht ndiqej sipas paragrafit 5 të këtij nenit i cili parashikonte dënim me burg prej minimum 5 vitesh burg, ndërkaq ky paragraf është fshirë dhe tani do të ndiqet sipas nenit 4, i cili parashikon dënim me burg prej 1 deri në 5 vjet, shkruan Portalb.mk.

Prokuroria dhe mbrojtja tha se qëndrojnë në listën e provave të njëjta, si për akuzën paraprake.

“Për të akuzuarin, në rastin konkret ka ndryshime në dispozitivin e akuzës duke e pasur parasysh faktin që do të ndryshohet kualifikimi juridik që do t’i ngarkohet të njëjtit në varësi prej nenit 32 nga ndryshimet e Kodit Penal”, tha prokurorja e lëndës Katerina Kollareviq.

Për shkak se lartësia e dënimit parashihet të jetë maksimum në 5 vjet burg, prokuroria aktin e akuzës e ka transformuar në propozim-akuzë dhe procedura e gjykimit do të jetë e shkurtuar.

Për këtë, trupi gjykues u shpërbë dhe lëndën do ta gjykojë vetëm një gjykatës, në këtë rast, kryetarja aktuale e trupit gjykues Fanka Jançuleva Mihailovska.

Njëkohësisht, Prokuroria kërkoi që të akuzuarit t’i shfuqizohet masa e paraburgimit dhe në vend të kësaj, Zekirit t’i caktohen masa të kujdesit gjegjësisht: Paraqitje në gjykatë një herë në javë, ndalesë të lëshimit të vendbanimit dhe mbajtje të pasaportës.

Gjykata këtë propozim e pranoi.

Pas fillimit, të gjykimit nga e para, Zekiri deklaroi para gjykatëses se e kupton akuzën, por nuk ndihet fajtor.

Pastaj, me propozim të mbrojtjes, sot para trupit gjykues dëshmoi bashkëshortja e Muhamed Zekirit, Bisera Zekiri.

Ajo u përgjigj në pyetjet e mbrojtjes për ngrirjen e një kasafortës në pronësi të saj, e cila ka qenë objekt hetimi i Prokurorisë. Prokuroria, e ka ngrirë përdorimin e mjeteve të kasafortës, ndërkaq dëshmitarja Zekiri thotë se paratë dhe mjetet në këtë kasafortë nuk janë të Muhamed Zekirit dhe ai nuk ka qasje në këtë kasafortë.

“Kasafortën e kam hapur në vitin 2012-të dhe të gjitha gjërat që janë brenda kasafortës, janë për djalin tim nga martesa e parë. Muhamed Zekiri nuk ka pasur, nuk ka, e as nuk do të ketë qasje në atë kasafortë. Për paratë brenda kasafortës kam dëshmi të prindërve nga autoritetet tatimore gjermane për paratë që prindërit e mi i kanë sjellë nga Gjermania dhe të cilat mi kanë trashëguar mua. Për arin që gjendet, janë trashëgimi nga stërgjyshi i ish bashkëshortit tim, i cili ka qenë artar”, tha Bisera Zekiri.

Ndryshe, ish sekretari i Qeverisë, Muhamed Zekiri akuzohet se ka lidhur kontrata për shërbime konsulente për analizimin e situatave në postë dhe hekurudha, pa procedurë për prokurim publik dhe me këtë, sipas Prokurorisë, e ka “keqpërdorur detyrën dhe autoritetin zyrtar”

Prokuroria e akuzon Zekirin se në periudhën nga prilli i vitit 2021 deri në janar të vitit 2022, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Qeverisë, pa kryer prokurim publik, ka lidhur kontrata për shërbime konsulence me një kompani me vlerë totale prej gati një milion euro, gjegjësisht janë paguar 147.000 euro më shumë se 795.000 të rënë dakord paraprakisht.

Ai po ndiqet penalisht për lidhjen e dy kontratave private për shërbime konsulente – njëra për përcaktimin e modelit për ristrukturimin e Sh.A. “Posta” dhe kontrata e dytë për shërbime konsulente për mbështetjen e procesit për privatizimin e mundshëm të “Hekurudhave”.

Prokurorja Katerina Kolareviq konsideron se në procesin gjyqësor do të mund të dëshmojë se ish-sekretari i përgjithshëm i Qeverisë ka keqpërdorur pozitën dhe kompetencat e tij zyrtare dhe është e bindur se është dashur të shpallë tenderë, ndërsa Zekiri para gjykatës ka deklaruar se nuk ndihet fajtor dhe beson se nuk ka bërë shkelje të Ligjit për furnizime publike.

Zeqirit më 9 prill të vitit të kaluar i ishte caktuar masa e paraburgimit, e cila më pas, për shkaqe shëndetësore iu zëvendësua me arrest shtëpiak.

Deri tani gjykimi është drejtuar nga gjyqtarja Fanka Jançuleva Mihailovska, si edhe gjyqtari Osman Shabani.