Osmani: Të miratohen ndryshimet kushtetuese, pastaj do të shpallen zgjedhjet

Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani i është përgjigjur sot në mëngjes liderit të opozitës maqedonase Hristijan Mickoski. Osmani sugjeroi që të miratohen ndryshimet kushtetuese, e më pas tha se zgjedhjet do të shpallen dhe atë në termin që do ta propozojë opozita, transsmeton Portalb.mk.

“Nëse i votojnë ndryshimet kushtetuese, do ta lëmë që ata të vendosin se kur do të mbahen zgjedhjet, kur të duan. Sot, nesër, pasnesër, menjëherë pas votimit të ndryshimeve kushtetuese. Mendoj se kjo është ofertë korrekte nga ana jonë”, theksoi Osmani.

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski më 17 tetor deklaroi se 8 maji është termini i mundshëm kur do të mbaheshin rrethi i dytë i zgjedhjeve presidenciale dhe rreth i i parë i zgjedhjeve parlamentare.

“Edhe në të kaluarën kemi pasur praktikë të tillë. Kështu ishte në zgjedhjet e fundit më 15 korrik të vitit 2020. Për këtë themi se 8 maji është përsëri termin i mundshëm kur do të mbahej rrethi i dytë i zgjedhjeve presidenciale bashkë me ato parlamentare. Do të kishte 72 orë për afate për ankesa, për vendime dhe të kapet afati i 12 majit që të mundet presidenti i ri tashmë të inaugurohet”, tha Mickoski, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve sot në Gjevgjeli.

Bëri thirrje për konsensus, sepse, siç theksoi, ashtu ishte praktika edhe më herët, gjegjësisht me konsensus të të gjithë faktorëve politikë të merret vendim rreth datës dhe kohës së mbajtjes së zgjedhjeve.

Ndërkohë, kryeministri Dimitar Kovaçevski i porositi liderit të VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski se zgjedhjet e vitit të ardhshëm do të mbahen në terminin e rregullt, por la hapësirë ​​edhe për marrëveshje me opozitën për datën e saktë.

“Do të kemi zgjedhje të rregullta, opozita në disa raste ka pohuar se do të ketë zgjedhje të parakohshme dhe tani të thotë se do të ketë zgjedhje të rregullta, kështu që kjo çështje është zgjidhur shumë kohë më parë”, tha Kovaçevski sot në pyetjet e gazetarëve.

Kryeministri thotë se afati i mbajtjes së zgjedhjeve të rregullta presidenciale, si dhe për zgjedhjet e rregullta parlamentare, duhet të jetë objekt diskutimi mes të gjitha palëve, duke theksuar edhe afatet ligjore që duhet të respektohen.

Më 4 tetor kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski i bëri thirrje kryeministrit dhe lider i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski të thërrasë takim të liderëve, në të cilin, siç thotë, do të bisedohet për procesin zgjedhor.