Për një vit të tërë nuk po bëhet asgjë për ndërtimin e metrosë së autobusëve në Shkup

Prej 12 muajsh nuk ka asnjë informacion se çfarë po ndodh me projektin e ndërtimit të metrosë së autobusëve, që duhet të zbatojnë autoritetet e qytetit. As institucionet shtetërore nuk kanë informacion se çfarë po ndodh me sistemin e autobusëve të shpejtë – BRT Shkup, ndonëse kanë kërkuar të dhëna nga autoritetet e Qytetit. Meta.mk ka kontaktuar me qytetin e Shkupit për këtë projekt, por nuk mori asnjë informacion deri në publikimin e këtij teksti, transmeton Portalb.mk.

Nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve thanë se Qyteti i Shkupit ka deklaruar se nuk është i interesuar për realizimin e projektit, i cili duhet të sigurojë që autobusët e qytetit të lëvizin në një linjë të veçantë në dy linja BRT – nga Lisiçe e Re në Gjorçe Petrov dhe nga Pintija në Buthel.

Përndryshe, institucionet shtetërore kanë nënshkruar marrëveshjen me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në prill të vitit 2021 për sigurimin e mjeteve financiare prej 70 milionë euro për ndërtimin e metrosë së autobusëve në Shkup, e cila është dashur të funksionojë në fund të vitit 2025.

Me realizimin e këtij projekti, duhet të sigurohet transport publik më i shpejtë për qytetarët e Shkupit, me komoditet dhe kapacitet më të madh për transportin e udhëtarëve në të dyja linjat BRT, dhe rezultati përfundimtar i realizimit të metrosë së autobusëve do të ishte rritja e numrit të udhëtarëve në transportin publik të Shkupit dhe zvogëlimi i transportit me vetura në kryeqytet.

Në vitin 2021, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve dhe Qyteti i Shkupit ishin në fazën e përgatitjes së përbashkët të gjithë dokumentacionit teknik për performancën e metrosë së autobusëve, tani për të gjitha informatat lidhur me këtë projekt, kjo ministri i referohet Ministrisë së Financave dhe Qytetit të Shkupit.

Nga Ministria e Financave sqarojnë se as nga Qyteti i Shkupit nuk marrin informacione për realizimin e BRT-së.

“Ministria e Financave edhe pse i ka dërguar shkresë Qytetit të Shkupit lidhur me realizimin e këtij projekti, nuk ka marrë përgjigje lidhur me statusin e projektit”, bëjnë të ditur Ministria.

Meta.mk saktësisht një vit më parë ka shkruar një temë lidhur me zbatimin e metrosë së autobusëve në Shkup dhe duke e krahasuar gjendjen e atëhershme me atë të sotme, mund të konstatojmë se nuk ka lëvizje sa i përket ndërtimit. Qyteti i Shkupit edhe vitin e kaluar, identikisht si sot, nuk u përgjigjet pyetjeve gazetareske se çfarë aktivitetesh janë ndërmarrë për zbatimin e BRT-së.

Nga Ministria e Financave sqarojnë se realizimi i projektit është përgjegjësi e Qytetit të Shkupit, mjetet sipas marrëveshjes duhet të tërhiqen nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, ndërsa Ministria e Financave sipas Ligjit për borxhin publik, është nënshkruesi i marrëveshjes në emër të Qeverisë. Ministria e Financave shton se mjetet e ndara prej 70 milionë euro nga BERZH janë të dedikuara dhe nuk mund të përdoren për qëllime të tjera nga Qyteti i Shkupit apo nga ndonjë institucion tjetër. Deri më tani nuk janë paguar penalitete, pasi nuk janë tërhequr mjetet për ndërtimin e metrosë së autobusëve.

E ndërsa realizimi i projektit vonohet për të tretin vit, kryeqyteti po përballet me probleme serioze në komunikacion. Nga njëra anë, të dhënat zyrtare tregojnë për ulje të interesit të qytetarëve për shfrytëzimin e transportit publik të Shkupit, dhe për dallim nga kjo, në Shkup ka një rritje të ndjeshme të numrit të automjeteve të regjistruara, me çka ngecja e trafikut në qytet dhe mungesa e vendeve të parkimit po rriten edhe më shumë. Po ashtu, në muajt e dimrit në Shkup ka problem serioz me cilësinë e ajrit dhe pikërisht transporti është një nga ndotësit kryesorë.

Ndryshe, të dhënat statistikore të NQP Shkup tregojnë se në vitin 2022 numri i udhëtarëve të transportuar në linjat qytet-periferi është zvogëluar për 15 milionë pasagjerë krahasuar me periudhën para shfaqjes së pandemisë Covid-19.

Tenderi për ndërtimin e metrosë së autobusëve në Shkup ishte shpallur në tetor të vitit 2021 nga menaxhmenti i mëparshëm i qytetit, por kryetarja e re Danella Arsovska vendosi të ndalojë zbatimin e tenderit gjatë dhjetorit 2021.