Qytetarët pastrojnë rrëmujën pas përmbytjeve katastrofike në Slloveni

Disa ditë pasi Sllovenia u godit nga fatkeqësia më e rëndë natyrore në historinë e saj, qytetarët me ndihmën e shërbimeve shtetërore po punojnë në riparimin e dëmeve, në mënyrë që jeta të normalizohet sa më shpejt, raporton Anadolu.

Në komunat sllovene Nazarje dhe Ljubno, të provincës Shtajerska, janë ende të dukshme shkatërrimet nëpër rrugë, ndërtesa rezidenciale dhe tregtare, si dhe dëmet tjera si shkatërrimi i makinave.

Vërshimet e lumenjve Dreta dhe Savinja në Nazarje morën gjithçka para tyre, ndërsa për pastrimin e rrëmujës në ndihmë ka dalë ushtria, mbrojtja civile, zjarrfikësit dhe qytetarët.

Jozhef Prazik jeton pranë Nazarjes. Siç tha ai për Anadolu, vërshimet e rrëmbyeshme e lëvizën ndërtesën e stacionit të autobusit lokal disa dhjetëra metra nga pozita e saj origjinale.

Pastrimi do të zgjasë me javë

Sipas Prazik, vërshimet e kanë bllokuar plotësisht komunikacionin për disa ditë, dëmet janë të mëdha dhe prej pesë ditësh po punohet për riparimin e dëmeve.

Katja Gorjanc është pjesëtare e brigadës vullnetare të zjarrfikësve nga Kranji dhe ka ardhur në Nazarje me kolegët e saj për të ndihmuar banorët vendas.

Sipas saj, dëmet janë të mëdha dhe procesi i pastrimit do të zgjasë me javë të tëra.

Ekipi i Anadolu-t takoi Istok Vrtaçiqin përballë një lokali hotelierie në Nazarje, ku po punonte për riparimin e dëmeve të shkaktuara në pajisje dhe inventar.

“Ky është një problem për të gjithë Slloveninë, jo vetëm për ne. Nëse nuk arrijmë të marrim ndihmë nga Brukseli, nuk e di si do t’ia bëjmë, pasi që janë dëmtuar edhe fabrikat. Në luginën e Savinjskës janë dëmtuar 16 mijë njerëz dhe dy fabrika. Nëse nuk rikthehet prodhimi në këto fabrika, atëherë të gjithë kemi përfunduar në këtë luginë”, tha Vrtaçiq.

Dy të tretat e territorit u prekën nga përmbytjet

Sllovenia u përball me fatkeqësinë më të rëndë natyrore në historinë e saj, deklaroi më herët kryeministri Robert Golob, pasi përmbytjet shkatërruese shkaktuan dëme të cilat u vlerësuan në gjysmë miliardë euro.

Në përmbytjet shkatërruese që përfshinë Slloveninë javën e kaluar, e humbën jetën gjashtë persona, u shkatërruan rrugë, ura dhe shtëpi të shumta. Nga përmbytjet u prekën dy të tretat e territorit të vendit.