Për një javë u arrestuan pesë persona për dhunë në familje në Maqedoninë e Veriut

Në Maqedoninë e Veriut u arrestuan pesë persona nga dhjetë raportimet që janë paraqitur në stacionet policore. Këto raportime janë paraqitur në lidhje e dhunën në familje, transmeton Portalb.mk.

Në Ohër u arrestua 54 vjeçari pasi kishte sulmuar me një trup të fortë nënën e tij 76 vjeçe, ndërsa në Kumanovë u arrestua 59 vjeçari pasi kishte sulmuar gruan 63 vjeçare. Po në Kumanovë, u arrestua 38 vjeçari B.A. pasi kishte sulmuar djalin e tij të mitur. Një 47 vjeçar nga Shkupi u arrestua pasi kishte sulmuar nënën 66 vjeçare.

“Nëpunës policorë të SPB Shkup e privuan nga liria Z.M. (51) nga Shkupi sepse më 22.03.2026 i kishte bërë kërcënime gruas së tij 47-vjeçare dhe prindërve të saj në shtëpinë e tyre në rajonin e Shkupit. Sipas denoncimit, ai edhe më parë e kishte kërcënuar gruan e tij”, raportoi Policia.

Ndërkohë ka pasur edhe pesë raportime tjera. Një 29 vjeçar në Manastir e kishte sulmuar partneren 27 vjeçare, ndërkohë një grua 24 vjeçare e kishte raportuar bashkëshortin e tij.

“Më 23.03.2026 në orën 21:20 në SPB Shkup, një grua 41-vjeçare nga Shkupi denoncoi se rreth orës 20:30 në një objekt tregtar në zonën e Bit Pazarit, vajzës së saj 17-vjeçare i është kërcënuar ish-partneri i saj V.B. (20), ndërsa pasi ajo kishte dalë nga objekti i ka treguar se ka mbajtur armë zjarri. Sipas raportit, ai e kishte kërcënuar më parë dhe e kishte detyruar të qëndronte me të”, raporton Policia.

Një grua 50 vjeçare ka denoncuar vajzën 21 vjeçare, pasi kishte shkatërruar orenditë shtëpiake, ndërsa një 43 vjeçare e kishte raportuar bashkëshortin 42 vjeçar.

Në Maqedoninë e Veriut planifikohet ndryshimi i tetë ligjeve në kuadër të Trupit koordinues kombëtar për zbatimin e Konventës së Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje. Komisioni për këtë arsye më 10 mars ka mbajtur seancë të jashtëzakonshme.

Tragjedia në Karposh ndodhi më 2 mars, kur nëna Ivana dhe vajza e saj gjashtëvjeçare Katja humbën jetën pasi ranë nga ballkoni i katit të gjashtë të ndërtesës ku jetonin.

Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski të nesërmen deklaroi në konferencë për shtyp se policia kishte qenë në vendngjarje rreth dy orë para tragjedisë, pasi në orën 12:05 ishte pranuar një denoncim për një grindje. Policia kishte mbërritur në 12:19 dhe kishte biseduar me gruan, e cila atëherë kishte nënshkruar një deklaratë se nuk kishte pasur kontakt fizik mes saj dhe bashkëshortit dhe se nuk kërkonte fillimin e procedurës.

Sipas Toshkovskit, policia posedon edhe një video incizim nga e njëjta ditë, ku shihet i dyshuari duke e goditur viktimën. Ai informoi se i dyshuari më parë ishte raportuar për dhunë në familje dhe kishte një histori kriminale me dhjetë kallëzime penale për dhunë, vjedhje dhe tregti me drogë.

Pas tragjedisë, fqinjët dhe të afërmit e së ndjerës deklaruan publikisht se dhuna në familje ishte raportuar për vite me radhë, por institucionet nuk kishin reaguar siç duhet. Vëllai i viktimës shkroi në rrjetet sociale se “pas viteve të raportimit të dhunës familjare, dhunës fizike dhe psikologjike ndaj të dyjave, kërcënimeve, denoncimeve dhe një tentative për vrasje në mes të një institucioni shtetëror, humba mbesën dhe motrën”, duke akuzuar se sistemi kishte dështuar t’i mbrojë.

Pavarësisht ndryshimeve në Kodinin Penal në janar të këtij viti, sipas të cilave MPB duhet të veprojë ndaj denoncimeve për dhunë në familje edhe kur viktima nuk nis procedurë, policia sipas kritikëve nuk po i zbaton këto risi.