Për ministrin Durmishi çmimet e produkteve nuk janë të larta, por qytetarët i perceptojnë si të tilla
Ministri i Ekonomisë dhe Punës Besar Durmish mendon se çmimet e produkteve nuk janë të larta, por ky është vetëm prceptim i qytetarëve. Këtë, një javë më parë e tha ai në emisionin Click Plus në TV21, duke shtuar se çmimi i produkteve është stabil, transmeton Portalb.mk.
“Sa u përket të gjithë artikujve ushqimor, në bazë vjetore gjendja është stabile. Është ai perceptim i qytetarëve që çmimet janë shtrenjtuar. Në bazë të fakteve dhe argumenteve, ne veprojmë. Nëse do të hasim në rritje drastike të çmimeve, posaçërisht në festat e fundvitit ne do të veprojmë”, tha Durmishi.
Ndërkohë kujtojmë se vlera e shportës minimale sindikale të llogaritur nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) për dhjetor është 65.492 denarë dhe është për 319 denarë më e lartë se shporta minimale për muajin e kaluar kur ishte 65.173.
Sipas llogaritjeve të LSM-së, në dhjetor nevojiten 23.640 denarë për ushqim dhe pije, 7.159 denarë për arsim, 6.130 denarë për qira, ujë, energji elektrike dhe ngrohje, 5.875 denarë për veshmbathje, 4.636 denarë për transport, 4.131 denarë për restorante dhe hotele, 3.417 denarë për komunikim dhe 2.620 denarë për higjienë personale dhe mirëmbajtje të higjienës në shtëpi.