RMV, 4 raste të reja me “kollë të madhe”, pikat për vaksinim punojnë në dy turne

Janë paraqitur katër raste të reja me “kollë të madhe” apo pertusis, konfirmoi Qendra e Shëndetit Publik. Me këtë, numri i përgjithshëm ka arritur në 26. Për momentin në mjekim spitalor në Klinikën Universitare për Sëmundje Respiratore Kozle ka 5 raste të konfirmuara, për 3 të tjerë priten rezultate, njofton Portalb.mk.

Në pikat e vaksinimit, ashtu siç njofton Telma, sot ka pasur radhë të prindërve për t’i vaksinuar fëmijët e tyre.

Alarmi i Komisionit të Sëmundjeve Infektive me rekomandime që të shpallet epidemi e kollës së madhe në nivel të Shkupit dhe rekomandim që të ndalohet pranimi i fëmijëve të pavaksinuar në çerdhe e ka rritur interesimin për tre herë më shumë në krahasim me ditët paraprake.

Mjekët thonë se kjo situatë ndodh për faktin se prindërit e prolongojnë terminin e rregullt për imunizim, kështu që duhet të ndodh epidemi që të vijnë të vaksinohen.

“Këto rrëmuja nuk do të ishin nëse prindërit do t’i kishin sjellë me rregull fëmijët. Vaksina është mënyra më efikase dhe më e sigurt që të parandalohen sëmundjet infektive. Mua më vjen keq që në shekullin 21 kur e kemi mjetin më të sigurt për parandalim na ndodh epidemia me kollë të madhe”, tha mjekja Beti GelejçevskaIlkoska nga pika vaksinale Bukuresht.

Pikat vaksinale tanimë prej sot punojnë në dy turne, ndërkaq plotësisht do të punojnë edhe të shtunën në orar prej 8 deri në 14. Bëhet fjalë për pikat në Gjorçe Petrov, Bukuresht, Jane Sandanski, Çento, Bit Pazar dhe Çair.

Çerdhet i kanë njoftuar prindërit që t’i përditësojnë të dhënat për statusin e vaksinimit në afat sa më të shkurtër. Janë të detyruar që të dorëzojnë fotokopje nga “Kartoni për imunizim” ose vërtetim mjekësor të cilin e jep Qendra e Shëndetit Publik dhe pikat për imunizim.

Gjatë javës së ardhshme inspektorët e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale do të kryejnë mbikëqyrje të jashtëzakonshme në të gjitha çerdhet e Shkupit dhe njëkohësisht informojnë se fëmijët të cilët kanë simptoma të gripit dhe nuk janë të vaksinuar do të largohen përkohësisht nga çerdhet.

Sot, edhe UNICEF nëpërmjet kumtesës ka shprehur shqetësim për rritjen e numrit të rasteve me kollë të madhe në vend dhe lajmet për linë e vogël në rajon. Prej atje i bashkëngjiten thirrjes së ekspertëve shëndetësor deri te prindërit dhe kujdestarët që t’i vaksinojnë fëmijët.

“Falë shkallës së lartë të vaksinimit në të kaluarën, prindërit sot e kanë fatin që të rriten pa përjetuar që ndonjë prej anëtarëve të familjes ose miqtë të u vdes ose të mbeten me pasoja të përjetshme nga sëmundja siç është lija e vogël ose paraliza fëmijërore. Epidemia aktuale e kollës së madhe rikujton në rëndësinë e mbajtjes së mbulimit me vaksinim të rregullt mbi 90-95% që të arritën imunitet kolektiv”, thuhet në kumtesën e UNICEF.