RMV, në muajin mars është rritur numri i të sëmurëve nga lija e dhenve, janë regjistruar edhe raste me shytat infektive

Sëmundja akute infektive më e shpeshtë e regjistruar ka qenë lija e dhenve me gjithsej 825 persona të prekur, ndërsa janë regjistruar edhe 239 raste me kollë të keqe. Muajin e kaluar janë regjistruar dy raste me shytat infektive, tek një person mbi 60 vjet, i pavaksinuar dhe tek një fëmijë i grupmoshës 5 deri në 9 vjet, i vaksinuar, transmeton Portalb.mk.

Gjatë muajit të fundit janë regjistruar gjithsej 1.431 të sëmurë me sëmundje akute infektive, thuhet në raportin e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP). Numri i rasteve të regjistruara në muajin mars, sipas ISHP-së, paraqet një rritje prej 27 përqind krahasuar me shkurtin e këtij viti. Të dhënat e ISHP-së tregojnë se sëmundja akute më e shpeshtë ka qenë lija e dhenve, ndërsa janë regjistruar edhe raste me shyta dhe zgjebe. Sipas raportit të ISHP-së janë regjistruar dy raste me shyta infektive edhe atë tek një person mbi 60 vjet, i pavaksinuar, dhe tek një fëmijë i grupmoshës 5 deri në 9 vjet, i vaksinuar.

Nga ISHP-ja theksojnë se gjatë muajit mars ka pasur edhe raste të zgjebes te një shtetas i huaj nga Turqia dhe mononukleozë infektive te një shtetas i huaj nga Kosova.

“Gjatë muajit mars, sëmundja akute infektive më e shpeshtë e regjistruar është lija e dhenve me gjithsej 825 persona të regjistruar. Ato përbëjnë 57,7 përqind të numrit të përgjithshëm të të sëmurëve në një muaj, ndërsa në grupin e dhjetë sëmundjeve infektive më të shpeshta për këtë muaj përfaqësojnë 58,5 përqind. Në krahasim me muajin paraprak është shënuar rritje e rasteve të lisë së dhenve me 24,8 përqind, ndërsa në krahasim me muajin mars 2023 është shënuar një rënie prej 9,4 përqind”, thuhet në raport.

Përveç lisë së dhenve, në muajin mars janë regjistruar  239 raste të kollës së keqe. Në krahasim me muajin shkurt, sipas raporteve të ISHP-së, është regjistruar një rritje prej 99,2 përqind e numrit të personave që vuajnë nga kolla e keqe, ndërsa në të njëjtin muaj të vitit të kaluar dhe as në dhjetë vitet e mëparshme nuk janë regjistruar të sëmurë nga kjo sëmundje.

Në grupin e infeksioneve seksualisht të transmetueshme dhe të transmetueshme nëpërmjet gjakut – HIV/AIDS janë regjistruar 19 të sëmurë. Janë regjistruar nëntë raste të sifilisit, gjashtë raste të hepatitit B viral, tre raste të hepatitit C viral dhe një rast i infeksionit me klamidia.

Katër raste të konfirmuara me HIV dhe dy me SIDA janë regjistruar  gjatë muajit mars. Bëhet fjalë për pesë meshkuj dhe një femër, të cilët i përkasin grupmoshës nga 20 deri në 44 vjet.

“Janë regjistruar edhe gjashtë raste të hepatitit B viral dhe tre raste të infeksionit pneumokokal me diagnozë meningjit pneumokokal, të cilët sipas moshës nuk i nënshtrohen imunizimit sipas Kalendarit të Imunizimit të Detyrueshëm në RMV dhe nuk janë vaksinuar kundër këtyre sëmundjeve. Diagnoza është konfirmuar në laborator”, thuhet në raportin e ISHP-së.