Për krijuesit me poste politike

Janë të shumtë shkrimtarët shqiptarë që, në periudha dhe regjime të ndryshme, kanë pasur poste të larta politike. Pashko Vasa, bie fjala, qe guvernator i Libanit, kurse Naim Frashëri përgjegjës i botimeve në Stamboll. Më vonë rrugën e tyre e ndoqën dhe shkrimtarët eruditë të fundit të sh. XIX dhe të gjysmës së parë të sh. XX, si Faik Konica dhe Fan Noli, të cilët u përpoqën ta ndryshojnë imazhin e Shqipërisë së kohës së tyre, duke lëvruan vetëdijshëm shkëmbin dhe duke u përpjekur ta ndërgjegjësojnë shqiptarin dhe të vënë themelet e një shteti të qytetëruar evropian.

Faik Konica qe ambasador shqiptar në SHBA, kurse Fan Noli kryeministër i vendit, përgjatë një periudheje të shkurtër. Konica qe ndër të parit shkrimtarë që anashkaloi kolonitë rilindase (në Sofje, Bukuresht, Stamboll, Kajro…) dhe u vendos në zemër të Evropës (Paris, Bruksel, Londër…), aty ku vizatoheshin me vizore kufijtë e vendeve të vogla ballkanike. Kudo që u gjend, Ai u përpoq të imponojë një fotografi tjetër për Shqipërinë dhe për shqiptarët. U përpoq të korrektojë të shkuarën, ta kompensojë kohën e humbur nën djerrinën otomane. Këtë e bëri nëpërmjet veprave letrare, ligjëratave dhe intervistave në mediet e botës.

Fan Noli sfidoi edhe me mënyra violente pushtetin zogist që shiste territoret e atdheut dhe vriste bijtë e tij të zgjedhur, liberatorët si Avni Rustemi, Luigj Gurakuqi, Bajram Curri e Hasan Prishtina. Falë punës së këtij titani u fitua autoqefaliteti i kishës ortodokse shqiptare dhe u dobësua megaliidheja grekomane.

Në përpjekje për të ndihmuar e për të zgjidhur çështjen shqiptare, Konica dhe Noli flijuan madje krijimin e familjeve dhe karierave profesionale, përkundër ofertave që të braktisin politikën dhe t’i përkushtohen letërsisë.

Për rolin që mund të luajë shkrimtari edhe në regjime të mbrapshta, flet ajo që bëri Ernest Koliqi, kur nga Shqipëria e okupuar prej Italisë fashiste, gjeti shtegun për të dërguar mësuesit që hapën shkollat e para shqipe në vendbanimet e nëpërkëmbura nga Jugosllavia e Versajit.

Shembullin e ngjashëm e gjejmë edhe tek Dritëro Agolli, i cili si drejtues i Lidhjes së shkrimtarëve, më 1972, guxoi ta botojë romanin “Shkëlqimi dhe rënia e Shokut Zylo”, të cilësuar nga kritika vendore dhe evropiane si njëra ndër veprat më disidente të shkruara në botën komuniste.
Në dallim prej Shqipërisë dhe Kosovës, në skenën aktuale politike të Maqedonisë, po flas për shqiptarët, nuk shoh të inkuadruar shkrimtarë, të paktën jo në përqindjen me të cilën i gjejmë gjetiu.

S’e kuptoj përse është kështu dhe nuk besoj se kjo mund të lidhet me mungesën e shkrimtarëve, por një shkas sigurisht ekziston. Siç dihet, shkrimtarët e mirë janë pak të rëndë për të zbatuar urdhëra politike. Në mjedise të vogla, ku secili njeh secilin dhe ku politikbërja është e luhatshme dhe utilitare, ata nuk pranojnë të përballen me përgjegjësi kolektive, sepse kanë të tjera ideale. Idealet e tyre estetike janë në luftë të përhershme me idealet ideologjike.

Mbase ka dhe arsye të tjera përse ata i shmangen politikës, ose përse politika i shmang ata, por e vërteta është se kjo shmangie është e kushtueshme për shoqërinë shqiptare.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.