Pas shumë shekujsh mbijetese nën thundrat e pushtuesve egërshanë, titanët e Rilindjes ringjallën nga kurgjëja Shqipërinë londineze. Dhembjen për shqiptarin që s’bëhet kollaj ata e përjetësuan në shkrimet e tyre, që ditën e shpalljes së pavarësisë, që, në vend se t’i trimërojë robërit e çliruar dhe t’u japë krahë ta ndërtojnë e ta ngrenë vendin shkallë-shkallshëm në këmbë të shëndosha, siç bëjnë etnitë e qytetëruara, u trembën nga liria e shumëpritur dhe ia ngulën kazmat për ta rrënuar ashtu siç dimë vetëm ne. Me këtë akt vetërvrasës të së ardhmes, u dëshmua sindromi e frikës së robit nga liria dhe hisja jonë për vuajtjet që ndoqën shqiptarët gjer në ditët e sotme.
Për iletin në fjalë kanë shkruar edhe shkrimtarët e huaj, në mesin e të cilëve bën pjesë edhe gjeniu i letrave kroate, Mirosllav Kërlezha. Në esenë “Mbi të gjithë flamujt tanë”, ai sjell imazhet e ditës së arritjes së Princ Vidit në portin e Durrësit, në vitin 1914, duke shpërfaqur pagabueshëm përçarjen brendashqiptare të shprehur, në njërën anë, me britmat entuziaste të krahut që angazhohej për një Shqipëri evropiane, kurse, në anën tjetër, të dumbabistëve, që kërkonin kthimin e sundimtarëve të ikur përgjithmonë andej nga kishin ardhur.
Mirosllav Kërlezha e kishte dëshmuar edhe më herët me kontribute konkrete dashamirësinë për shqiptarët, ndaj e përjetoi me dhembje përçarjen e ndodhur para syve të tij, që u shkonte në favor armiqëve të shtetit të posaformuar. Për të ishte e pabesueshme, që një etni e shkelur me shekuj nga thundrat e të tjerëve, po e vriste të ardhmen e saj atëherë kur kishte ardhur koha ta gëzojë jetën në një copëz të atdheun e lirë. Si mund ta shihte ndryshe shqiptarin e ngritur lugat kundër vetvetes gjeniu që, në vitet e 30-ta të shekullit të kaluar, denoncoi ashpër politikën gjenocidiste të Jugosllavisë së Versajit, duke shkruar guximshëm për kolporterët e gazetave të Beogradit (Pravda, Vreme, Balkan…), që shpallnin me entuziazëm masakrat ndaj shqiptarëve të pafajshëm të Kosovës dhe jo vetëm. Tek i dëgjoja britmat e tyre, shkruan Kërlezha, në mënyrë jashtëzakonisht të qartë e ndjeja çka do të thotë të jesh njëri nga Mustafa Abazët dhe Adem Beqirët 25 vjeçarë dhe çka do të thotë të biesh i pushkatuar një ditë me diell, si qytetar i pafajshëm nga mitralozat e shtetit, që krenohet se sundon territoret e tjetrit me vullnetin e Perëndisë…
Mjerisht, kacagjelimet brendashqiptare janë të vjetra të serta dhe atipike. Ato na kanë përcjellur prej shekujsh që nuk mbahen mend, duke mbetur në kujtesën tonë me dromca legjendash, si ajo e tre vëllezërve që iu përveshën ndërtimit të urës që nuk u ndreq kurrë, viktimë e së cilës u bë e ardhmja e trishtë e përfaqësuar me metaforën e foshnjes së murosur…
Përçarjet e së shkuarës i kam njohur herët nga rrëfimet e të parëve dhe nga veprat e lexuara, produkt i të cilave e konsideroj veten. Ajo që nuk arrij ta kuptoj (sigurisht nuk arrini as ju, lexues të dashur) dhe që nuk e kam pritur kurrë janë përçarjet e pashërueshme brendashqiptare, që vazhduan edhe pas shembjes së sistemit monist.
Natyrisht, as hasmëritë e reja ndërvëllazërore nuk erdhën dhe nuk vijnë rastësisht. Ato u shfaqën dhe vazhdojnë të shfaqen në të gjitha drejtimet, duke na përçarë në vija krahinore, dialektore e religjioze, gjithnjë të prira nga klane interesaxhinjshë, që vijat e ndarjes së trupit dhe shpirtit të kombit i justifikojnë me dokra…
S’po e zgjas më shumë lidhur me përçarjet e kudondodhshme në sinoret ku jetojmë ne, që, së fundmi rezultuan dhe rezultojnë me vrasjen e shpresave dhe ikjen e të rinjëve nga vatrat e të parëve, me përmasat e një eksodi të paparë më herët.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.