“Pensionistët nuk kanë kohë, çdo ditë plakemi”, vijoi protesta e pensionistëve për rritje të pensioneve në Tetovë

Protesta e pensionistëve të Tetovës për rritje të pensioneve vazhdoi sonte në sheshin e Tetovës. Ata nuk tërhiqen nga kërkesa për rritje të pensioneve në formë lineare për 5 mijë denarë dhe pensioni minimal të jetë 20 mijë denarë. Protestuesit paralajmëruan që më 7 nëntor do të vazhdojnë protestat në Shkup, raporton Portalb.mk.

Pas bllokimit të hyrjes në Tetovë dhe marshimit, pensionistët e Tetovës protestën e tyre për rritjen e pensioneve sonte e zhvendosën në sheshin “Iliria” të Tetovës.

“Ka njeri që i blen ilaçe deri 5 mijë denar, jeta është bërë shumë e shtrenjtë, jeta shumë e shtrenjtë, ndërsa Qeveria dhe Ministria për Punë dhe Politikë Sociale aspak nuk e kanë gajle. Po thonë buxheti zbrazet, ato me 78 % e kanë zbrazën buxhetin e shtetit”, deklaroi njëri nga protestuesit.

Ai shtoi që pensionet 12 deri 15 mijë denarë, nuk janë asgjë, sepse standardi jetësor është ngritur.

“Kërkojmë rritje lineare prej 5 mijë denarë dhe pension minimal 20 mijë denarë”, deklaroi një protestuese, e cila paralajmëroi që në Shkup do të vazhdojnë protestën më 7 nëntor, në ora 11:00.

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale (MPPS) për Portalb.mk ka deklaruar se qëndrimi i tyre mbetet i pandryshueshëm se, nuk do të ndërmarrin asnjë hap që të do rrezikojë stabilitetin e Fondit Pensional dhe ardhmërinë e pensionistëve. Por, nga atje, paralajmëruan pako të masave për kategoritë e rrezikuara.

“Me kërkesë të pensionistëve, pas ngritjes së çështjes për nevojën e miratimit të Ligjit për pension minimal, u formua grup punues për shqyrtimin e propozimeve për çështjen e pensionit më të ulët në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Grupi punues gjithashtu ka për detyrë të krijojë propozim për pako të masave për ndihmë dhe mbështetje të pensionistëve. Javën e kaluar grupi punues ka dorëzuar raportin e parë me propozim të masave, i cili u preznatua në seancën e fundit të Qeverisë. Pasi t’i shqyrtojë, Qeveria e RMV-së do të dalë me masa konkrete për mbështetje të kategorive të rrezikuara të pensionistëve”, deklaruan nga MPPS.

Sa i përket çështjes së definimit ligjor të pensionit minimal, grupi punues do të vazhdojë të punojë në gjetjen e një zgjidhje të re ligjore për pension minimal, me ndryshime të ligjit aktual apo ligj të ri të posaçëm, me çka grupi punues duhet të japë draft propozim të parë deri në dhjetor 2023.

Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri përgjegjës për çështje ekonomike Fatmir Bytyqi, së fundmi ka deklaruar se pensionistët do të përfshihen në pakon e re të masave kundër krizës. Bytyqi krahas njoftimit për pakon e masave kundër krizës që do t’u ofrohet pensionistëve, iu referua edhe caktimi të pensionit minimal, i cili duhet të përcaktohet me ligj.

Pensionistët protestojnë prej në shtator, ndërkaq në Maqedoninë e Veriut jetojnë rreth 330.000 pensionistë, shumica prej tyre, mbi 97.000, kanë pensione deri në 13.000 denarë.