Pensionistët e Tetovës sërish në protestë për pensione më të larta, Ministria nuk i merr parasysh kërkesat (Video)

Protesta e pensionistëve të Tetovës për rritje të pensioneve vazhdoi edhe sot, ata bllokuan hyrjen kryesore të qytetit te ish fabrika e Monopolit si dhe marshuan deri te Tregu i Gjelbër. Nuk tërhiqen nga kërkesa e tyre për rritje të pensioneve në formë lineare për pesë mijë denarë dhe pensioni minimal të jetë njëzet mijë denarë, raporton Portalb.mk.

Një pensionist i cili merr 15 mijë denarë pension deklaroi se me këtë pension mundet vetëm barna të blesh dhe çaj të pish, asgjë tjetër.

“15 mijë denarë nuk dalin, kur munden ata (qeveritarët) t’i rrisin 78 përqind rrogat e veta, pa pyetur Gjykatën Kushtetuese, a për ne vlen Gjykata Kushtetuese, edhe ne kërkojmë rritje lineare, edhe ai që merr 6 mijë edhe ai që merr 8, 20, 30 mijë”, tha pensionisti.

Ai shtoi se “sa i përket kryetarit të pensionistëve në Maqedoninë e Veriut, nuk funksionon, e kanë blerë, Sindikata nuk punon. Nëse kështu shkon, do vijmë në punën ekstreme që do bojkotojmë edhe zgjedhjet.”

Kryetari i Shoqatës së Pensionistëve të Tetovës, Silver Memeti tha se do të vazhdojnë me kërkesat e tyre deri sa të realizohen.

“Vazhdimi i protestave do të varret prej qeverisë, ata nëse i plotësojnë kërkesat tona ne e ndalim protestën. Shohim se nuk ka efekt edhe bllokimi i rrugëve, planifikojmë të shohim në Sveti Nikole do të mbahet mbledhja e përbashkët dhe do të vendoset, me siguri para ambasadave, para ministrive dhe para Qeverisë. Le ta dijë e tërë bota se çka bëhet me pensionistët, sepse pensionistët herën e parë ngrihen në protestë, duhet Qeveria të merret me neve”, tha Memeti.

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale (MPPS) për Portalb.mk ka deklaruar se qëndrimi i tyre mbetet i pandryshueshëm se, nuk do të ndërmarrin asnjë hap që të do rrezikojë stabilitetin e Fondit Pensional dhe ardhmërinë e pensionistëve. Por, nga atje, paralajmëruan pako të masave për kategoritë e rrezikuara.

“Me kërkesë të pensionistëve, pas ngritjes së çështjes për nevojën e miratimit të Ligjit për pension minimal, u formua grup punues për shqyrtimin e propozimeve për çështjen e pensionit më të ulët në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Grupi punues gjithashtu ka për detyrë të krijojë propozim për pako të masave për ndihmë dhe mbështetje të pensionistëve. Javën e kaluar grupi punues ka dorëzuar raportin e parë me propozim të masave, i cili u preznatua në seancën e fundit të Qeverisë. Pasi t’i shqyrtojë, Qeveria e RMV-së do të dalë me masa konkrete për mbështetje të kategorive të rrezikuara të pensionistëve”, deklaruan nga MPPS.

Sa i përket çështjes së definimit ligjor të pensionit minimal, grupi punues do të vazhdojë të punojë në gjetjen e një zgjidhje të re ligjore për pension minimal, me ndryshime të ligjit aktual apo ligj të ri të posaçëm, me çka grupi punues duhet të japë draft propozim të parë deri në dhjetor 2023.

Pensionistët protestojnë prej në shtator, ndërkaq në Maqedoninë e Veriut jetojnë rreth 330.000 pensionistë, shumica prej tyre, mbi 97.000, kanë pensione deri në 13.000 denarë.