Antidisinfo.net, ueb-faqe e re si mjet në luftën kundër dezinformimit

Fondacioni Metamorfozis njoftoi hapjen e ueb-faqes së saj të re, Rrjeti kundër dezinformimit në Ballkan, https://antidisinfo.net, transmeton Portalb.mk

Kjo ueb-faqe është një burim jetik për publikun, gazetarët dhe politikëbërësit për të zbuluar ndikimin e huaj keqdashës në Ballkanin Perëndimor duke ekspozuar dhe hartuar rrjedhën e dezinformatave dhe të propagandës që burojnë nga aktorë të jashtëm në të gjithë rajonin.

“Rrjeti kundër dezinformimit në Ballkan vazhdimisht kryen verifikim të detajuar dhe gjithëpërfshirës të fakteve, inkurajon gazetarinë hulumtuese dhe përgatit analiza në të cilat i ekspozon dhe i harton dezinformatat dhe propagandën, të cilat janë të disponueshme në ueb-faqen https://antidisinfo.net për të ndihmuar publikun, gazetarët dhe politikëbërësit të përballen me dezinformatat dhe informatat e gabuara”, thonë nga Metamorfozis. 

Përmes ueb-faqes së re të Rrjetit kundër dezinformimit në Ballkan, publiku do të ketë qasje në materiale nga baza e të dhënave të burimeve, e cila paraqet një burim të pasur të dhënash nga rajoni lidhur me rrjedhën e dezinformatave dhe propagandës.

Rrjeti kundër dezinformimit në Ballkan është një iniciativë e përbashkët e gjashtë organizatave partnere nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, të cilat janë të përkushtuara për të promovuar transparencën dhe saktësinë  dhe integritetin në hapësirën mediatike.

Karakteristikat kryesore të ueb-faqes: 

Në ueb-faqen e re ka në dispozicion lajmerecensione, analiza dhe storje hulumtuese që i ekspozojnë narrativet e dezinformatave. Gjithashtu, përmes ueb-faqes së re, publiku do të ketë qasje në materiale që lidhen me tendencat e dezinformimit në Ballkanin Perëndimor. Për më tepër, do të ketë në dispozicion informacione për organizatat partnere nga Rrjeti kundër dezinformimit në Ballkan dhe angazhimin e tyre të përbashkët për integritetin e mediave. Ueb-faqja është në dispozicion në katër gjuhë: maqedonisht, shqip, anglisht dhe boshnjakisht/kroatisht/serbisht.