Pçinja ka tre lloje endemike peshqish, por nuk dihet se si kaskadat ndikojnë në mbijetesën e tyre

Në lumin Pçinja jetojnë tre lloje endemike peshqish, por, në të edhe në tetë degët e tij “Kriva reka”, “Kumanovska”, “Lipkovska”, “Duraçka”, Bistrica, “Kratovska”, “Rankovaçka” dhe “Zhivusha” ka edhe mbi 45 barriera për të cilët nuk dihet si dhe sa ndikojnë ndaj mundësive për mbijetesën e tyre dhe cilësinë e eko-sistemit ujor. Barrierat dhe kaskadat janë ndërtuar gjatë shekullit të kaluar si mekanizma për mbrojtje nga përmbytjet dhe për formim të pellgjeve të peshqve. Megjithatë, këto janë forma tashmë të vjetruara, ekzistenca e të cilave duhet të rishqyrtohet, veçanërisht ndikimi i tyre në lëvizjen natyrore të botës ujore dhe riprodhimin, ndërsa hapet edhe çështja se nëse dhe në çfarë mase ato i varfërojnë komunitetet ujore, shkruan Meta.mk, njofton Portalb.

Nga Qendra për hulumtim dhe informim për mjedisin jetësor “Eko svest” informojnë se ky është projekti i parë në vend i lidhur me restaurimin e lumenjve, i cili duhet të krijojë mundësi për heqjen e digave dhe kaskadave si një kusht i rëndësishëm për rivendosjen e prurjeve lumore. Nga organizata “Eko svest” thonë se hartëzimi i kaskadave dhe degëve të Pçinjës tashmë ka filluar dhe se do të zgjasë deri në shtator. Përvojat nga ky projekt pastaj do të mund të zbatohen edhe tek lumenjtë e tjerë të cilët ballafaqohen me lloj të këtillë barrierash dhe në të cilat në të ardhmen do t’u nevojitej ripërtërirje.

Sipas Gjorgji Mitrevskit nga “Eko svest”, tashmë janë hartuar 33 kaskada të cilat ndodhen vetëm në degën e majtë të Pçinjës, lumin Kriva i cili është vendpushimi i troftës dhe në të cilin peshkimi është i ndaluar. Disa nga barrierat në këtë lumë janë të shkallëzuara, por me një shteg të ndërtuar për shtegtimin e troftës.

“Së bashku me ekipin e Geobalkanika do t’i vlerësojmë kaskadat dhe ndikimet e tyre ndaj mjedisit jetësor, biodiversitetit, rëndësinë socio-ekonomike dhe statusin ligjor. Të gjitha të dhënat e mbledhura nga puna në terren do të futen në një bazë të dhënash, e cila do të mundësojë klasifikimin sistematik të ndikimit të kaskadave dhe do të japë udhëzime për heqjen e tyre”, thotë Mitrevski.

Ai thekson se në periudhën e ardhshme do të bëhet një vlerësim i veçantë i secilës prej barrierave dhe ndikimi i tyre ndaj peshve dhe stokun e peshkut. Ristaurimi i lumenjve është një tendencë në vendet e zhvilluara, gjë që nuk ndodh në vend, ku ende po luftojmë që të mos ndërtohet infrastruktura mbi ta apo të rregullohen e betonohen shtretërit e lumenjve. Si shembull në vendin tonë merret Pçinja, e cila ka 45 barriera, bashkë me degët. Shumica janë kaskadë dhe dikur shërbenin për të mbrojtur kundër përmbytjeve ose për të rregulluar rrymën. Tani që ka mënyra të tjera për të ofruar këtë lloj mbrojtjeje, është e nevojshme të vlerësohet nëse këto barriera janë të nevojshme dhe nëse jo, nëse ato mund të hiqen.

“Vitet e fundit vëmendje e veçantë i është kushtuar restaurimit të shtretërve të lumenjve dhe eko sistemeve të lumenjve nga dëmtimet që kanë pësuar në të kaluarën. Në Pçinjë jetojnë tre lloje endemike, dy prej të cilave janë më të vogla dhe të cilat nuk mund të migrojnë në pjesën më të lartë të lumit për shkak të kaskadave. Është e nevojshme të vlerësohet ndikimi në to, por edhe te jovertebrorët ujorë, vegjetacioni bregdetar, hidromorfologjia e lumit dhe gjeomorfologjia e terrenit”, thotë Mitrevski.

Gjatë hulumtimit, para se të sillen vendime se nëse ndonjë barrierë mund të hiqet, do të jetë e nevojshme të vlerësohet si statusi ligjor ashtu edhe statusi social-ekonomik i secilës prej barrierave, nëse ato kanë një pronar të njohur, kush i ka ndërtuar dhe nëse ka dikush që është i detyruar t’i mirëmbajë ato.