Qeveria e RMV-së: Po veprohet për zbardhje të plotë të rastit të dhunës në të cilën u dogj automjeti të cilin e ka përdorur zëvendëskryeministri i parë Grubi
Siguria është prioritet i lartë në një shoqëri demokratike. Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut e dënon aktin e djegies së automjetit të cilin e ka përdorur zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi, njjofton Portalb.
Nga Qeveria konsiderojnë se ky rast është i dhunës i cili, siç thonë, është plotësisht i papranueshëm dhe i palejueshëm në një shoqëri demokratike e cila angazhohet për vlera evropiane.
“Të gjitha institucionet kompetente, organet hetimore dhe gjyqësore, në kuadër të kompetencave të tyre po veprojnë pa vonesë, me vendosmëri dhe profesionalizëm për zbardhjen e plotë të këtij rasti në kohën më të shpejtë të mundshme”, thuhet në kumtesën nga Qeveria.
Pas publikimit të informatave në media se, vetura që është djegur mëngjesin e sotëm në Çair është vetura private e tij, ka reagur zëvendëskryeministri Artan Grubi. Nëpërmjet një shkrimi të publikuar në profilin e tij në Facebook, ai është shprehur se vetura është e një mikut të tij, të cilit edhe i ka kërkuar falje për dëmin që i është shkaktuar për shkak të Grubit, shkruan Portalb.mk.