Pasuria e konfiskuar e Mijalkovit do të dalë në ankand

Pasuria e paluajtshme e ish-drejtorit të DSK-së, Sasho Mijalkov, e konfiskuar me zgjidhjen e rastit “Perandoria”, së shpejti do të dalë në ankand, njoftoi Agjencia për Menaxhimin e Pasurisë së Konfiskuar, transmeton Portalb.mk.

Informacioni është publikuar në Raport me rastin e njëqind ditëve të punës së drejtorit të ri të Agjencisë, Driton Nebiu. Pritet ekzekutimi i vendimeve për rastet “Trust” dhe “Baçilo”.

“Për disa raste shumë aktuale të konfiskimeve kam marrë menjëherë iniciativa me mbështetjen dhe bashkëpunimin e ministrit të Drejtësisë, Krenar Loga dhe kemi marrë masat për zbardhjen dhe ekzekutimin e tyre sa më shpejt.

Konkretisht bëhet fjalë për:

1. Rastin Perandoria në lidhje me pronën e Sasho Mijallkovit;

2. Rastin Trust ose i njohur në popull si Transmet;

3. Rasti Baçilo ose i njohur si Isnifaris Xhemaili.

Pasuria e konfiskuar e Sasho Mijallkovit së shpejti do të shpallet në ankand publik elektronik, të cilin Agjencia do ta përgatisë në përputhje me ligjin dhe me pëlqimin e Qeverisë”, thuhet në raport.

Drejtori aktual Nebiu në një prononcim për TV 21 thotë se vlera e pasurisë së sekuestruar të Sasho Mijalkovit është rreth 14 milionë apo më saktë 14.144.000 euro.

“Ka kaluar vendimi për nxjerrjen në shitje të aksioneve të Sasho Mijalkovit, diçka që nuk ka ndodhur me vite në këtë Agjenci, nuk e di për çfarë arsyesh!? Pasuritë e tjera të sekuestruara të Sasho Mijallkovit kapin shumën 14.144.000 euro, d.m.th., banesa, tokë ndërtimore dhe pasuri të paluajtshme, dhe jemi në fazën përfundimtare të procedurës për paltundshmërinë në Gjevgjeli dhe patundshmërinë në vilë Vodno, me sa më kujtohet. Jemi në fazën finale, i kemi kaluar të gjitha filtrat në institucion, në Qeveri dhe presim që së shpejti këto ditë ta nxjerrim në shitje edhe atë tokë”, tha ai për TV 21.

Edhe shuma e fundit e shpallur nga drejtori është dy herë më e vogël se shuma fillestare e shpallur nga Prokuroria në kohën e Vilma Ruskovskës.

Vlerësimi i patundshmërisë së konfiskuar nga Mijallkovi, për të cilin ka punuar Agjencia për Menaxhimin e Pasurisë së Konfiskuar dhe Byroja për ekspertizë gjyqësore, ka përfunduar në fund të shkurtit të këtij viti.

Më pas “360 gradë”, bazuar në të dhënat zyrtare të Agjencisë, njoftoi se bëhet fjalë për pasuri me vlerë rreth 15 milionë euro, që nuk është as 30 milionëve, sa njoftoi në fillm Prokuroria se vlen ajo që i është marrë Mijallkovit në marrëveshjen me të cilën ai e pranoi fajësinë.

Më pas u njoftua se Mijalkovit përveç paluajtshmërisë i janë marrë edhe 350 mijë euro aksione dhe rreth 6.1 milionë euro para të gatshme.

Plani i Agjencisë për Menaxhimin e Pasurisë së Konfiskuar është që të fillojë shitjen e pasurisë së konfiskuar nga Mijallkovi dhe paratë do të shkojnë në arkën e shtetit.

Ndryshimi është se në vend të 30 milionëve të shpallura, fluksi nga pasuritë e paluajtshme do të jetë dy herë më i vogël.

Rasti “Perandoria” ishte hapur nga ish-Prokuroria Publike Speciale në vitin 2018, për bashkim kriminal, dëmtim apo fuqizim të kreditorëve, keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar, mashtrim dhe pastrim parash dhe rendimente të tjera të veprës penale.

Në hetim janë përfshirë 19 persona, por disa prej tyre në ndërkohë e kanë pranuar fajësinë dhe janë marrë vesh me Prokurorinë Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, pjesërisht procedura është ndërprerë për shkak të parashkrimit, pjesërisht ka pasur vendime për ndërprerjen e procedurës.

Marrëveshje kanë arritur shtatë persona, ndër të cilët më të njohurit janë emrat e ish-drejtorit të DSK-së, Sasho Mijalkov dhe biznesmenit Jordan (Orce) Kamçev.

Përveç pasurisë, aksioneve dhe parave të sekuestruara, Mijalkov është dënuar edhe tre vjet burg për rastin “Perandoria”.

Para se të dërgohej në vuajtje të dënimit, ai ndërroi adresën e tij nga Shkupi në Ohër, gjë që i mundësoi të shkonte në burgun e hapur në Strugë.