(Pa)siguria ushqimore, Zehra Hajrulai Musliu: Kontrolli ushqimor shihet si formalitet, reformat vonohen sepse nuk ka përgjegjësi
Siguria ushqimore është një nga çështjet më të rëndësishme të shëndetit publik, por shpesh mbetet e padukshme për qytetarët derisa të shfaqet ndonjë problem në treg. Pas produkteve që konsumojmë çdo ditë qëndron një sistem kompleks kontrolli shkencor, nga laboratorët analitikë deri te mekanizmat institucionalë që duhet të garantojnë cilësinë dhe sigurinë e ushqimit. Për të kuptuar më mirë se si kontrollohet ushqimi sot, cilat janë rreziqet më të shpeshta në treg dhe sa i përgatitur është sistemi për t’i identifikuar ato, Portalb.mk bisedoi me Zehra Hajrulai-Musliu, profesoreshë e rregullt në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare në Shkup me mbi 30 vite përvojë akademike dhe kërkimore në fushën e kimisë, kimisë ushqimore dhe sigurisë së ushqimit.
Portalb.mk: Prej vitit 2004 jeni pjesë e Fakultetit të Mjekësisë Veterinare në RMV, si ka evoluar fusha e sigurisë ushqimore në këto dy dekada në vend?
Zehra Hajrulai-Musliu: Kur fillova punën në vitin 1996, kontrolli ushqimor ishte kryesisht bazik: parametra fizikë dhe kimikë të thjeshtë. Me kalimin e viteve, sidomos pas bashkimit me Fakultetin e Mjekësisë Veterinare në vitin 2004, fusha ka evoluar drejt sistemeve të integruara të menaxhimit të rrezikut. Sot kemi standarde HACCP, ISO 17025 për laboratorët dhe harmonizim me legjislacionin e BE-së. Siguria ushqimore shihet si pjesë e zinxhirit ‘nga ferma në tavolinë.
Portalb.mk: Çfarë zbulojnë realisht laboratorët, cilat janë 3 problemet më të shpeshta që i hasni te ushqimet në treg? Ndotës, mbetje kimike, falsifikime… cili është më shqetësues?
Zehra Hajrulai-Musliu: Tre problemet më të zakonshme janë: ndotësit mikrobiologjikë si Salmonella apo Listeria; mbetjet kimike nga pesticide dhe antibiotikë; dhe falsifikimet. Shpesh kemi hasur përzierje të qumështit me vaj palme apo kokosi në vend të yndyrës së qumështit, si dhe mjaltë të falsifikuar me shurup glukoze. Këto nuk mund të dallohen me metodat e thjeshta, por vetëm me teknika të avancuara si LC‑QTOF/MS, LC‑MS/MS dhe GC‑MS.”
Portalb.mk: Ju udhëhiqni Laboratorin e Kimisë Analitike të Ushqimit: cila është një arritje konkrete që ka ndryshuar mënyrën si kontrollohet ushqimi? A ka ndonjë rast/studim që ju kujtohet si “alarm” për sistemin?
Zehra Hajrulai-Musliu: Një arritje madhore ka qenë pajisja e laboratorit tonë me instrumentin LC‑QTOF/MS, të fituar përmes një projekti nacional nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Ky është i vetmi instrument i këtij lloji në rajon dhe na mundëson identifikimin dhe skriningun e një game shumë të gjerë mbetjesh dhe ndotësish në nivele jashtëzakonisht të ulëta. Përveç manipulimeve, një rast alarmues ka qenë detektimi i aflatoksinës M1 në qumësht, që çoi në masa urgjente për tërheqjen e produkteve nga tregu dhe përmirësimin e monitorimit të grurit dhe ushqimit të kafsheve.

Portalb.mk: Kur flasim për “metoda moderne analitike”, çfarë do të thotë kjo për qytetarin: çfarë e kap sot laboratori që s’e kapte dje? A jemi në hap me standardet europiane?
Zehra Hajrulai-Musliu: Do të thotë se sot laboratori kap ndotës dhe manipulime që dhjetë vite më parë kalonin pa u vënë re. Kapim pesticide të reja, aditivë të ndaluar, madje edhe hormone ne nivele shume te uleta. Qytetari merr garanci më të madhe se produkti që blen është autentik. Në aspektin teknik jemi në hap me standardet europiane, por sfida është që këto kapacitete të zbatohen në mënyrë të barabartë në gjithë territorin.
Portalb.mk: A dëgjohen rezultatet shkencore nga institucionet dhe tregu? Çfarë do të ndryshonit urgjentisht?
Zehra Hajrulai-Musliu: Rezultatet shkencore dëgjohen, por jo gjithmonë me shpejtësinë dhe seriozitetin që kërkon situata. Shpesh ka vonesa mes momentit kur laboratori identifikon një problem dhe reagimit institucional. Kjo krijon hapësirë që produktet e rrezikshme të mbeten në treg më gjatë se sa duhet. Urgjentisht do të ndryshoja transparencën: rezultatet laboratorike duhet të jenë të hapura për publikun, sepse konsumatori ka të drejtë të dijë çfarë konsumon. Po ashtu, kontrollet duhet të jenë të pavarura, të kryhen nga struktura që nuk varen nga vetë‑deklarimet e industrisë.
Portalb.mk: Pas mbi 30 vitesh përvojë dhe mbi 200 publikimeve: cili është problemi që ende nuk po e zgjidhim si shoqëri? Pse vonohen reformat: mungesë kapacitetesh, vullneti, apo kulturë e dobët kontrolli?
Zehra Hajrulai-Musliu: Problemi më i madh mbetet kultura e dobët e kontrollit. Shpesh shohim që kontrolli ushqimor trajtohet si formalitet, si një procedurë që duhet kryer për të plotësuar dokumentacionin, jo si një mekanizëm real për mbrojtjen e shëndetit publik. Kjo kulturë e dobët e kontrollit është rrënjosur në disa nivele: tek institucionet, tek industria dhe madje tek vetë konsumatorët, të cilët shpesh nuk kërkojnë transparencë.
Nuk është vetëm mungesë kapacitetesh teknike, edhe pse laboratorët dhe inspektoratet shpesh kanë nevojë për më shumë pajisje, staf dhe trajnime. Problemi është edhe mungesa e vullnetit politik: siguria ushqimore nuk shihet si prioritet strategjik, sepse nuk sjell përfitime të menjëhershme politike apo ekonomike. Për më tepër, ka presione ekonomike nga tregu, ku shpesh interesi për fitim mbizotëron mbi interesin për cilësi dhe siguri.
Reformat vonohen sepse sistemi nuk ka krijuar një kulturë të përgjegjësisë. Në vend që rezultatet shkencore të përkthehen menjëherë në vendime, shpesh ato mbeten në raporte teknike pa ndikim praktik. Kjo tregon se kemi nevojë për një ndryshim mentaliteti: nga kontroll formal, drejt kontrollit real dhe të pavarur. Vetëm kur siguria ushqimore të shihet si pjesë e shëndetit publik dhe si investim afatgjatë, mund të themi se kemi bërë hapa të vërtetë përpara.

Portalb.mk: Cilat janë 5 sinjale të kuqe dhe 3 rregulla të arta për siguri ushqimore në shtëpi?
Zehra Hajrulai-Musliu: Kur flasim për sigurinë ushqimore në shtëpi, nuk mjafton vetëm të besojmë se produktet që blejmë janë të kontrolluara. Edhe konsumatori ka një rol aktiv, sepse shpesh rreziku mund të shihet me sy, të nuhatet me hundë, apo të kuptohet nga një detaj i vogël.
Pesë sinjale të kuqe janë ato që duhet të na bëjnë të ndalemi dhe të dyshojmë. Një produkt pa etiketë të qartë është gjithmonë i rrezikshëm, nëse nuk di origjinën, përbërjen apo datën e prodhimit, nuk ke asnjë garanci. Po aq alarmues është çmimi shumë i ulët: kur diçka kushton dukshëm më pak se normalja, shpesh fshihet manipulimi ose cilësia e dobët. Edhe ngjyra dhe tekstura jo natyrale janë tregues të forte, një djathë tepër i bardhë, një mish me nuancë të pazakontë, apo një mjaltë tepër i lëngshëm nuk janë normale. Mungesa e datës së prodhimit apo skadencës është një tjetër shenjë që produkti nuk duhet konsumuar. Dhe më e thjeshta për t’u kuptuar: aroma e pazakontë. Ushqimi i mirë ka erën e vet karakteristike; çdo ndryshim është paralajmërim.
Por sinjalet nuk mjaftojnë. Në jetën e përditshme, konsumatori duhet të ndjekë disa rregulla bazë. E para është ruajtja e ushqimeve në temperaturë të përshtatshme – frigoriferi nën 4°C dhe ushqimet e ngrira nën –18°C. E dyta është higjiena: larja e duarve, pastrimi i sipërfaqeve dhe veglave para përgatitjes. Shumë raste ndotjesh ndodhin jo nga vetë produkti, por nga mënyra e trajtimit në kuzhinë. E treta është respektimi i datës së skadencës. Shumë konsumatorë mendojnë se nëse ushqimi duket i rregullt, mund të konsumohet edhe pas afatit. Kjo është një iluzion i rrezikshëm, sepse mikroorganizmat dhe toksinat nuk shihen me sy.
Siguria ushqimore është një betejë e përditshme. Laboratorët me teknologji moderne janë mburoja kryesore e konsumatorit, por pa transparencë, pa kulturë kontrolli dhe pa vullnet politik, rreziku mbetet gjithmonë i pranishëm. Megjithatë, edhe konsumatori ka fuqinë e vet: duke lexuar etiketat, duke zgjedhur me kujdes dhe duke respektuar rregullat bazë në shtëpi, ai bëhet pjesë e zinxhirit të sigurisë ushqimore. Dhe ky zinxhir është i fortë vetëm kur çdo hallkë – nga ferma, te laboratori, te kuzhina e shtëpisë – funksionon me përgjegjësi.