Pasi rrëzoi marrëveshjen Rama-Meloni, u kërcënua me vdekje gjyqtarja italiane
Gjyqtarja italiane Silvia Albano, anëtare e grupit të togave të zeza që u shpreh lidhur me marrëveshjen Rama-Meloni për emigrantët, është kërcënuar me vdekje, raporton EuroNews. Lajmin e bëjnë të ditur mediat italiane, sipas të cilave zyrtarja është detyruar të bëjë një denoncim në Prokurorinë e Romës.
Përveçse gjyqtare, zonja Albano është edhe presidente e shoqatës Magjistratura Demokratike, e cila ka reaguar menjëherë lidhur me ngjarjen.
“Fushata e diskreditimit kundër gjyqtarëve të Romës dhe në veçanti Silvia Albanos ka kontribuuar në krijimin e një klime të kontestuar dhe urrejtjeje, që ka degraduar në kërcënime të rënda mbi sigurinë dhe jetën e saj”, thuhet në një komunikatë të shoqatës.
Rasti në fjalë i shtohet atij të ngjashëm ndaj prokurores që ka në dorë çështjen në ngarkim të zëvendës kryeministrit Matteo Salvini, që kur ishte ministër i Brendshëm nuk lejoi zbarkimin e anijes me emigrantë “Open Arms” në ishullin e Sicilisë.
Shoqata Magjistratura Demokratike ka kërkuar gjithashtu nga autoritetet përkatëse që të mbajnë përgjegjës personat që kanë ushqyer diskreditimin dhe urrejtjen ndaj gjyqtarëve dhe institucioneve të drejtësisë.
Për momentin lidhur me kërcënimin ndaj gjyqtares Silvia Albano nuk ka pasur të arrestuar dhe nuk dihet se cilin kurs po ndjekin hetuesit e Prokurorisë së Romës pas denoncimit të saj.