Pas vendimit të Supremes, pasiguri për pjesëtarët e UÇK-së që vizitojnë Maqedoninë e Veriut
Pas kthimit në rivendosje të vendimit të Themelores në Shkup, juristë në Prishtinë kanë thënë se kjo masë e shton pasigurinë për ish-pjesëtarët e UÇK-së, të cilët duan që ta vizitojnë Maqedoninë e Veriut, ndërsa ata në Shkup kanë theksuar se edhe vendimet e gjykatave janë produkt i qasjes ndaj Kosovës që e aplikon Qeveria e re maqedonase, shkruan Koha.
Gjykata Supreme në Maqedoninë e Veriut e ka rrëzuar vendimin e Gjykatës Themelore në Shkup, me të cilin qe vendosur që të mos ekstradohej në Serbi ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Blerim Ramadani. Vendimi është marrë rreth një javë pasi që Ramadani është arratisur nga arresti shtëpiak, pas arrestimit muajin e shkuar nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut bazuar në një fletarrestim të lëshuar nga Serbia.
Në vendimin e gjykatës më të lartë të këtij shteti është thënë se shkalla e parë nuk ka dhënë arsyetime të qarta kur ka vendosur që Ramadani, i dyshuar për krime lufte nga autoritetet e Serbisë, të mos ekstradohet në këtë shtet.
“Trupi penal i Departamentit për krim të organizuar dhe korrupsion i Gjykatës Themelore Penale në Shkup, me rastin e marrjes së vendimit me të cilin konfirmoi se nuk plotësohen kërkesat juridike për ekstradimin e personit në fjalë, nuk ka dhënë arsye të qarta në të cilat u bazua kur mori vendimin. Gjykata Supreme konsideron se ky lloj veprimi dhe vendimi i gjykatës së shkallës së parë është i paqartë dhe i pakuptueshëm, si dhe pa arsye relevante që janë udhëhequr nga trupi gjatë marrjes së vendimit”, është thënë në vendimin e gjykatës.
Por, juristët kanë thënë se vendimi i Supremes është i pazbatueshëm, meqë Ramadani është arratisur.
“Tani për tani, ky vendim nuk ka efekt juridik duke qenë se ish-ushtari i UÇK-së, Blerim Ramadani, më nuk ndodhet në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, dhe si i tillë është i paqasshëm për autoritetet atje dhe çfarëdo vendimi që merr Gjykata edhe për ekstradim në Serbi”, ka thënë juristi Arbër Jashari.
E juristi nga Maqedonia e Veriut, Bashkim Selmani, ka thënë se vendimi i së premtes tregon edhe për qasjen e re të pushtetit të ri në Shkup në raport me Kosovën.
“Është shumë normale të prishen raportet, se edhe ne si qytetarë në raste të tilla, nuk shkojmë në favor të Maqedonisë së Veriut, duke ditur bashkëpunimin politik e ekonomik. Maqedonia aktualisht po shpreh vullnet të keq ndaj Republikës së Kosovës dhe me të vërtetë Republika e Kosovës ka të drejtë, sepse nuk është vetëm çështja e lëndës, por rrezikon njohjen mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë”, ka theksuar Selmani.
Pas vendimit të Supremes, juristi Jashari ka thënë se ish-ushtarët e UÇK-së nuk do të jenë të sigurt për të kaluar në Maqedoninë e Veriut, meqë ata mund të kapen dhe të dërgohen në Serbi për t’u gjykuar.
“Janë të pasigurt këto fletarrestime që i ka lëshuar Serbia përmes Interpolit, pasi që gjithmonë do të jenë problem për ish-ushtarët e UÇK-së, sidomos në këto shtetet si Maqedonia, Mali i Zi, Serbia, por edhe një shtet tjetër për shkak të rrethanave, për shkak se mund të sjellë probleme”, është shprehur ai.
Vendimi i Supremes dhe paraprakisht edhe arratisja e Blerim Ramadanit kanë nxitur reagime politike në Maqedoninë e Veriut.
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), subjekt politik i cili tash është në opozitë, në një reagim ka shprehur drojën se vendimi i Supremes i vë në rrezik të gjithë ushtarët e UÇK-së për t’u ekstraduar në Serbi.
“Me postime lavdëruese në profilet e tyre në Facebook, xhentëlmeni dhe ndërtuesi sipërmarrës Izet Mexhiti dhe doktor % Arben Taravari nxituan t’i marrin meritat për ‘lirimin’ e ish-ushtarit të UÇK-së. MPB dhe Prokuroria duhet t’i marrë në pyetje dhe t’i mbajë të përgjegjshëm për rolin e tyre në ‘lirimin’ e Ramadanit! A po konsiderojnë se përgjegjësi ka MPB si në gjithë botën? Si e komentojnë Mexhiti, por edhe Taravari, Kasami, Gashi, Qoku vendimin e Gjykatës Supreme që rrezikon të gjithë ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që të ekstradohen në Serbi?”, kanë thënë në BDI.
Ndërkaq, në një konferencë shtypi, përfaqësues të Lidhjes Socialdemokrate që kanë qeverisur në këtë shtet, kanë akuzuar strukturat e Ministrisë së Punëve të Brendshme për arratisjen e Ramadanit, nëpërmjet së cilës i ka shpëtuar ekstradimit në Serbi.
Kronologjia e ngjarjes
Blerim Ramadani u ndalua më 17 korrik në pikën kufitar enë Jazhincë bazuar në një fletëarrest lëshuar nga Gjykata e Beogradit përmes Interpol Serbia.
Ministri serb i policisë, Ivica Daçiq, më 25 korrik, kërkoi nga autoritetet e Shkupit ekstradimin e Ramadanit në Serbi.
Çështja e ekstradimit të tij u ngrit edhe gjatë vizitës së ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, në Shkup më 31 korrik.
Më 1 gusht Gjykata vendosi që ai të kalojë nga paraburgimi në arrest shtëpiak. Por, më 15 gusht Ramadani u arratis nga arresti shtëpiak nga shtëpia e të afërmve në vend. Ministria e Punëve të Brendshme e RMV-së pas arratisjes dorëzoi fletëarrest qendror.
Më 9 gusht, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës njoftoi se Gjykata Themelore Penale në Shkup ka marrë vendim për mosekstradimin e tij.
Por, më 22 gusht, Gjykata Supreme e refuzoi dhe e ktheu në Gjykatën Penale këtë vendim.
Ramadani, është shtetasi i tretë i Kosovës si ish-ushtar i UÇK-së, i arrestuar në Maqedoninë e Veriut me urdhër të Serbisë.
Kujtojmë që Gafur Dugoli dhe Tomor Morina janë arrestuar edhe në të kaluarën, por me vendim gjykate janë liruar.
- LEXO: Rasti “Ramadani” – VMRO-DPMNE dhe LSDM me akuza të ndërsjella, pritet të formohet komision gjyqësor për hetimin e përgjegjësisë
- LEXO: Këshilli Gjyqësor me komision që do të hetojë vendimet e Penales në rastin Ramadani, VMRO-ja fajëson gjyqtarët, LSDM-ja Toshkovskin
- LEXO: MPB-ja lëshoi fletarrest qendror për ish-luftëtarin e UÇK-së, Blerim Ramadanin, pas arratisjes nga burgu shtëpiak në Shkup