Pas takimit me Qeverinë e Kosovës, ambasadorët s’deklarohen

Ambasadorët e akredituar në Kosovë kanë dalë nga objekti i Qeverisë së Kosovës, pas qëndrimit prej më shumë se një orë e gjysmë, raporton Koha.net. Bashkë me ambasadorin e Gjermanisë, Jorn Rohde, nga objekti i Qeverisë është parë teksa ka dalë edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

Ambasadorët nuk janë deklaruar për mediat.

Ambasadorët e shteteve të QUINT-it kanë hyrë në objektin e Qeverisë të enjten pasdite. Në oborrin e Qeverisë janë vënë re edhe vetura të ambasadave të shteteve të tjera në Kosovë.

Një ditë më parë, në mesditë, Policia e Kosovës konfirmoi se tre zyrtarë të saj janë kidnapuar brenda territorit të shtetit të Kosovës, nga forcat serbe. Liderët e shtetit e kanë cilësuar këtë veprim si agresion nga Serbia, teksa kanë kërkuar reagim ndërkombëtar.

Deri tash, ambasadat nuk kanë dalë me qëndrime për situatën. Përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Italisë dhe Francës, kanë qenë të heshtur që nga e mërkura.