Pasi u rrëzua bilbordi elektronik, u mbyll dita e parë e Forumit të Prespës për Dialog (FOTO)

Dita e parë e Forumit të Prespës për Dialog u mbyll para kohës së planifikuar, pasi bilbordi elektronik i vendosur në skenë u rrezua duke goditur edhe udhëheqësen e programit. Informatat e para tregojnë se gjendja shëndetësore e saj është mirë, ndërsa programi u shkurtua përkundër se ishte planifikuar fjalim edhe nga pesë persona tjerë, transmeton Portalb.mk.

“Na lejoni t’ju informojmë se ndërprerja e shkurtër në hapje të Forumit të Prespës për Dialog ndodhi për shkak të stuhisë dhe erës së fortë që dëmtoi skenografinë e panelit, gjë që rezultoi me ndërprerjen e aktiviteteve. Incidenti nuk ka shkaktuar asnjë pasojë dhe pas një pauze të shkurtër paneli ka vazhduar me agjendën e paraparë”, raportojnë nga Ministria për Punë të Jashtme në Maqedoninë e Veriut, duke sqaruar që nesër do të vazhdojnë panelet kryesore.

Ministria e Punëve të Jashtme e shfrytëzon rastin t’u kërkojë falje të gjithë atyre që e ndoqën forumin, këtu në Strugë, apo përmes internetit.

Nën moton “Familja evropiane e zgjeruar deri në vitin 2030: Mision i (pa) mundur”,  filloi sot në Strugë Forumi i Prespës për Dialog. Dje dhe sot në Strugë kanë arritur figura të rëndësishëm të politikës vendore, rajonale madje dhe ndërkombëtare për të marrë pjesë në aktivitetet e shumta që gjatë ditës së sotme dhe të nesërme do të zhvillohen në kuadër të këtij evenimenti madhor. Evenimenti filloi me ceremoninë e nënshkrimit të “Memorandumit për Mirëkuptim ndërmjet Nismës Rajonale të Migracionit, Azilit, Refugjatëve dhe Nismës Rajonale Kundër Korrupsionit”.

Përfaqësues special i kryesuesit të OSBE-së për të rinjtë, Memet Zhaku e hapi panel diskutimin e parë të Forumit të Prespës për Dialog me titull: “Pjesëmarrja e të rinjve në tranzicionin energjetik drejt një ekonomie të gjelbër të udhëhequr nga të rinjtë drejt arritjes së një të ardhmeje të qëndrueshme për të gjithë”.

Zhaku theksoi se të rinjtë kanë një pozicion unik në formësimin e botës në të cilën do të donim të jetonim. “Të rinjtë nuk duhet të shihen si liderë të së nesërmes, por si lider të së sotmes. Ne të rinjtë kemi një pozicion unik për të formësuar botën ku jetojmë, duke promovuar me zërin tonë vlerat e paqes, sigurisë, drejtësisë dhe barazisë. Organizata jonë ka një fokus dhe qasje të fuqishme ndaj rolit dhe rëndësisë së të rinjve. Ne si Kryesues, po bëjmë çmos që në agjendën tonë të përfshijmë dhe integrojmë perspektivat rinore në të gjitha nivelet”, tha Zhaku.
Zëvendësministrja për Mjedis Jetësor dhe Planifikim Hapësinor, Hristina Oxhaklieska, në fjalimin e saj theksoi tranzicionin e gjelbër që po ndodh sot dhe ndryshimet.

“Ne duhet t’i mbështesim të rinjtë, t’i përfshijmë ata në proceset e gjelbra përmes mbështetjes së ideve inovative dhe duke krijuar zgjidhje të qëndrueshme, sepse ata janë shtytës të ndryshimit. Ne duhet t’u japim atyre një shans për t’u përfshirë në industritë e gjelbra, proceset hulumtuese dhe të ofrojmë një platformë për bashkëpunim rajonal dhe shkëmbim të praktikave më të mira, aftësive dhe ndryshimeve të qëndrueshme për një tranzicion të bashkuar drejt energjisë së gjelbër dhe një ekonomie të gjelbër në rrugën drejt BE-së. Sot të gjithë së bashku po krijojmë të ardhmen tonë të gjelbër”, tha Oxhaklieska.

Për sfidat e të rinjve sot dhe kyçja e tyre si bartës të vendimeve në nivel lokal dhe global në panel kontribuuan edhe Larisa Lojiq, Naser Bislimi, Melani Jaindëll, Vlladimir Kostovski dhe moderatori Bojan Petrovski.

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, në kuadër të Forumit, mbajti panelin “Menaxhimi i migrimeve në raport BE-Ballkani Perëndimor: solidariteti dhe përgjegjësitë e përbashkëta”.

Në fjalën e tij hyrëse para të pranishmëve, ministri Spasovski, duke iu referuar rrugës së migrimit të Ballkanit Perëndimor, në të cilën bën pjesë edhe Republika e Maqedonisë së Veriut, tha:

“Për Ministrinë e Punëve të Brendshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, nënshkrimi i Marrëveshjes për statusin ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut për veprimet e kryera nga Agjencia Evropiane e Rojës Kufitare dhe Bregdetare ishte e një rëndësie thelbësore dhe shpresoj se gjatë periudhës së ardhshme bashkërisht do të konstatojmë përfitimet e marrëveshjes së nënshkruar dhe rëndësinë e saj për kontrollin e flukseve migratore, sigurimin e kufijve të jashtëm të BE-së dhe sigurinë e kufijve në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, theksoi ministri Spasovski, duke shtuar se bashkëpunimi ndërkombëtar është aktivitet kyç në menaxhimin e migracionit.

“Një aktivitet kyç në rrugën tonë përpara në menaxhimin e qëndrueshëm të migrimeve në Ballkanin Perëndimor është përparimi në realizimin e bashkëpunimit ndërkombëtar ndërkufitar, forcimi i besimit ndërkombëtar, rritja e shkëmbimit të informacionit, që është prova më e mirë e gatishmërisë sonë për të krijuar mjedisin e sigurisë edhe më të favorshme, dhe me këtë dhe progresi në integrimet evropiane edhe më i shpejtë. Vetëm një përgjigje evropiane, e cila do të përfshijë vendet që gjeografikisht dhe natyrshëm i takojnë Evropës, duke shfrytëzuar potencialin e migrimit legal dhe zvogëlimin e migracionit ilegal, sigurimin e kufijve të sigurt dhe të kontrolluar, por edhe një qasje humane dhe efektive”, theksoi ministri Spasovski. 

Oliver Spasovski në Forumin e Prespës për Dialog. Foto: Shejfkije Alasani/Portalb
Oliver Spasovski në Forumin e Prespës për Dialog. Foto: Shejfkije Alasani/Portalb

Nga ana tjetër, drejtoresha e IOM-it, Amy Pope, theksoi se: “Migrimi është një burim prosperiteti, inovacioni dhe zhvillimi të qëndrueshëm. IOM do të vazhdojë të mbështesë Ballkanin Perëndimor në promovimin e qasjeve gjithëpërfshirëse, të qëndrueshme dhe të orientuara drejt zgjidhjeve për të menaxhuar në mënyrë efektive migracionin dhe për të shfrytëzuar potencialin e tij të zhvillimit”, tha drejtori Pope.

Ministri pa portofol i Malit të Zi, Zoran Miljaniq, konfirmoi përkushtimin për forcimin e kapaciteteve të kufijve shtetërorë.

Ministri i Sigurisë së Bosnjë-Hercegovinës, Nenad Neshiq, u dërgoi mesazh të pranishmëve në sesion: “Çështja e migracionit është përgjegjësi e përbashkët e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të Bashkimit Evropian. Kjo na çon në një përmirësim të vazhdueshëm të bashkëpunimit dhe solidaritetit tashmë ekzistues, të gjitha me qëllim të përgjigjes në kohë ndaj presioneve potencialisht të reja migratore”, tha ministri Neshiq.

Ambasadori austriak Johannes Aigner theksoi rëndësinë e jashtëzakonshme të bashkëpunimit rajonal si një kontribut në trajtimin e migracionit. “Vendet nga Ballkani Perëndimor kanë mbështetjen e plotë në drejtim të prioritizimit të trajtimit të përditshëm të migracionit”, tha ambasadori Aigner.

Drejtori i MARRI-t, Sashko Kocev, theksoi nevojën e bashkëpunimit rajonal në fushën e menaxhimit të migracionit.

“Asnjë nga Ballkani Perëndimor nuk mund t’i përgjigjet i vetëm sfidave të migracionit, prandaj bashkëpunimi rajonal dhe bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë janë thelbësorë për zhvillim të mëtejshëm. Është koha që rajoni të bëjë një hap vendimtar në funksionalizimin e angazhimeve të dhëna nga liderët politikë në rajon në fushën e migracionit. Me këtë nënkuptoj deklarata të përkthyera në veprime konkrete. Me një qasje rajonale dhe duke konsoliduar përpjekjet individuale, Ballkani Perëndimor do t’i kapërcejë mangësitë dhe do të arrijë rezultate”, tha drejtori Kocev.

Shefi i Departamentit në Drejtorinë e Përgjithshme për Migracionin dhe Punët e Brendshme të Bashkimit Evropian, Pavel Busiakieviq, theksoi se bashkëpunimi mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në fushën e migracionit është i një rëndësie të madhe dhe se Plani i Veprimit është duke prodhuar tashmë rezultate. Ai, ashtu si folësit paraprak, ra dakord se nuk ka asnjë shtet anëtar të BE-së që mund të përballojë sfidat e migrimit i vetëm.

“Solidariteti dhe partneriteti janë të nevojshëm kur bëhet fjalë për migracionin. Duhet forcuar bashkëpunimi në politikat e migracionit, veçanërisht në fushën e azilit, kontrabandës së migrantëve dhe menaxhimit të kufijve”, theksoi shefi Busiakieviq.

FPD2023 mbahet në momente të shënuara nga një agresion lufte i paprecedentë, i paprovokuar dhe çnjerëzor i zhvilluar nga Rusia kundër Ukrainës, por edhe gjatë kryesimit të Maqedonisë së Veriut me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, e cila ka marrë një ndjenjë të thellë përgjegjësie dhe vendosmërinë përfundimtare për t’u angazhuar plotësisht në mbrojtjen e parimeve dhe angazhimeve të OSBE-së dhe në promovimin e dialogut dhe bashkëpunimit.

Agjenda e Forumit përfshin, ndër të tjera, diskutime mbi çështjet urgjente të sigurisë politike-rajonale dhe evropiane, proceset integruese të Ballkanit Perëndimor në BE, perspektivat e forcimit të bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, luftën kundër korrupsionit, etj.

Agjenda për ditën e sotme, 15 qershor:

“Ne kemi besim se FPD2023 do të ofrojë edhe një herë një platformë për debate, duke mbledhur vendimmarrës dhe zyrtarë të nivelit të lartë kombëtar dhe ndërkombëtar, diplomatë, personalitete të shquara të komunitetit akademik dhe të biznesit, të shoqërisë civile dhe përfaqësuesve të organizatave rinore të cilët do të kenë një mundësi e shkëlqyer për të ndarë, personalisht, analizat, mendimet dhe idetë e tyre mbi një gamë të gjerë temash rajonale dhe ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e FDP.

“Pres që të kemi Forum vërtet të suksesshëm që do të na lejojë ta përsërisim suksesin dhe kështu të konfirmojmë shndërrimin e Forumit në brend tonin, me të cilin jemi të njohur, si dhe ta forcojmë rolin e Maqedonisë së Veriut si lider rajonal në promovimin e politikave për tejkalimin e kontesteve të hapura, promovues i vlerave për pajtim dhe krijimin i stabilitetit në rajon”, tha Osmani.

Pjesëmarrjen në PFD2023 e kanë konfirmuar: Presidenti i ri i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, Presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviç dhe Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj; gjithashtu pjesëmarrjen e tyre e kanë konfirmuar edhe Kryetari i Qeverisë së Malit të Zi, Dritan Abazoviq dhe i Kosovës, Albin Kurti.

Në Forum do të marrin pjesë ministra të shumtë nga rajoni dhe më gjerë, duke përfshirë Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Punëve Evropiane të Kroacisë, Gordan GërliçRadman, ministra të shumtë për çështje evropiane, duke përfshirë Tanja Misheviq nga Serbia dhe Majlinda Duka nga Shqipëria, Peter Burke nga Irlanda, Martin Dvorak nga Çekia, si dhe përfaqësues të organizatave shumëpalëshe, duke përfshirë Sekretaren e Përgjithshme të OSBE-së, Helga Shmid, Nënsekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Miroslav Jença, Nënsekretarin e Përgjithshëm të UNDP Ivana Zivkovic, si dhe përfaqësues të lartë të organizatave të shumta think-tenk nga Evropa dhe më gjerë.

Forumi i Prespës për Dialog (FPD) është platformë e krijuar nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut për t’u mundësuar vendeve, udhëheqësve, organizatave dhe qytetarëve të ndërtojnë marrëdhënie afatgjata dhe t’i forcojnë partneritetet.

LEXO: Forumi i Prespës për Dialog mbahet me 15 dhe 16 qershor në Strugë