Barakë përballë Xhamisë së Pashës: Komuna e Tetovës thotë “infoqendër”, shoqatat e quajnë “poshtërim” të xhamisë
Në parkun ngjitur me Xhaminë e Pashës në Tetovë është vendosur një barakë e cila sipas autoriteteve komunale do të shërbejë si infoqendër. Megjithatë shoqatat qytetare dhe kulturore vendosjen e barakës e konsiderojnë gënjeshtër të komunës dhe shëmtim të parkut dhe xhamisë, e cila është vedosur pa kritere, shkruan Portalb.mk.
Shoqata qytetare Më Mirë për Tetovën vendosjen e barakës e konsideron si shëmti dhe poshtërim i vlerës së objektit kulturor-fetar të Xhamisë së Pashës.
Ata madje akuzojnë kryetarin e Komunës së Tetovës, Bilall Kasamin, i cili para zgjedhjeve u ka thënë se nuk do të vendoset barakë aty.
“Kemi pranuar përgjigje me shkrim nga Kryetari i Komunës, z. Bilall Kasami, i cili ka siguruar se në atë lokacion nuk planifikohet të vendoset barakë. Por sot qytetarët e Tetovës janë dëshmitarë që ai dje neve të gjithëve na gënjeu dhe pikërisht në Parkun e Xhamisë së Larme u vendos baraka. Është e papranueshme që Kryetari i posa zgjedhur i Komunës, i cili ka për detyrë të mbrojë interesat e qytetarëve, të lejojë shëmtimin e pamjes së Xhamisë së Pashës, me një objekt për përfitime të vogla financiare”, thanë nga Më Mirë për Tetovën.
Shqetësime kanë ngritur edhe nga Organizata për Kulturë dhe Mbrojtje dhe Konservim të Trashëgimisë Kulturore e Shpirtërore “HUTA”, që sipas tyre kjo barakë e dëmton dhe shëmton pamjen estetike të xhamisë historike.
“Ne i drejtojmë pyetje Komunës së Tetovës dhe BFI–Myftinia e Tetovës: Pse gjatë kohës së zgjedhjeve u betonizua parku pranë Xhamisë së Pashës dhe u vendosën ulëse të vjetra, ndërsa pas zgjedhjeve u vendos një kiosk? A është marrë mendim paraprak nga Ministria e Kulturës për një veprim të tillë? Kërkojmë nga Komuna e Tetovës që të ndërmarrë masa për dislokimin e këtij kiosku në një vend më të përshtatshëm, ku nuk do të cenohej pamja dhe karakteri historik i Xhamisë së Pashës”, thanë nga HUTA.

Nga Komuna e Tetovës njoftuan se nesër do të ketë promovim të së njëjtës ku edhe do të ketë detaje lidhur me këtë rast.
“Aty do vendoset qendra informative, njëjtë siç është edhe te Pallati i Kulturës. Ka leje dhe është vendosur me të gjitha procedurat ligjore”, thanë nga Komuna e Tetovës për Portalb.mk.
Si filloi gjithçka?
Më 29 shtator 2025, aktivistët nga Më Mirë për Tetovën alarmuan se në parkun pranë Xhamisë së Pashës vendosen pllaka dhe ndërhyrje që rrezikojnë të dëmtojnë imazhin e saj, që shkatërrojnë parkun dhe hapësirën e vogël publike që u shërben qytetarëve.
Disa ditë më vonë, më 6 tetor 2025, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami duke iu përgjigjur në kërkesën e MMPT, tha se në këtë hapësirë do të vendosen pajisje urbane. Ku më pas aty u vendosën disa ulëse. Në letrën e Kasamit nuk thuhet se aty do të vendoset barakë si infoqendër.
Për më tepër, në letrën e Kasamit thuhet se investitor është Bashkësia Fetare Islame, e cila është bartëse e lejes. Megjithatë, sipas të thënave nga kadastra, hapsira ku është vendosur baraka është pronë e shtetit dhe jo e BFI-së.
Ndryshe, Xhamia e Pashës u ndërtua në vitin 1495 dhe paraqet një nga monumentet historike më të rëndësishme në vend.