Pas 27-vjetësh u zbardh vrasja e dy vëllezërve shqiptarë në Beograd

Pas 27-vjetësh është zbardhur vrasja e dy vëllezërve shqiptarë, Haki dhe Jakup A., në Beograd, raportoi të enjten mediumi serb “Blic”. I dyshuari Zoran V., që tashmë është 48 vjeç, është arrestuar 27 vjet pasi dyshohet se e ka kryer vrasjen e vëllezërve në një ndërtesë në rrugën “Zmaj Jovina” në Beograd, përcjell Koha.net.

Deri më tani, raportohet se i dyshuari ka jetuar dhe punuar në Novi Sad, derisa është arrestuar për narkotikë dhe armë, gjë që ka zbuluar për krimin e kryer gati tri dekada më parë.

Prokuroria më e lartë publike në Beograd ka njoftuar se ekziston dyshimi i bazuar se më 26 janar 1998, në katin e katërt të një banese Zoran V. u ka marrë jetën Hakiut dhe Jakupit me të shtëna nga pistoleta. Vrasja kishte ndodhur pasi i dyshuari ka vënë në kokë një maskë të zezë, doreza dhe kur viktimat kanë arritur te dera e banesës numër 14, ai ka shtënë drejt tyre.

Sipas aktakuzës, ai e ka goditur Hakiun me tre plumba dhe Jakupin me dy plumba, duke u shkaktuar lëndime vdekjeprurëse.

Zoran V. më pas ka dalë nga objekti dhe rrugës ka hequr kapelën dhe dorezat, të cilat i ka hedhur në brendësi të objektit dhe më pas është larguar me automjet të panjohur.

Prokuroria ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit, duke e akuzuar për veprën penale të vrasjes së rëndë.

Prokuroria i propozoi gjykatës zgjatjen e masës së paraburgimit për të pandehurin për shkak të rrezikut për arratisje.