MPB me detaje për tre të dyshuarit për terrorizëm dhe trafikim me armë, Prokuroria kërkoi paraburgim (VIDEO)

Më 28.09.2026, Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Serioz, në bashkëpunim me Agjencinë e Sigurisë Kombëtare, Departamentin për Operacione Speciale Policore dhe SPB Shkup, nën drejtimin e një prokurori publik kompetent nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, zhvilloi një aksion të koordinuar policor, gjatë të cilit siç thotë MPB, u shpërbë një grup i organizuar kriminal nga Shkupi, i përfshirë në kryerjen e veprave penale që lidhen me terrorizmin dhe trafikimin e paligjshëm me armë, transmeton Portalb.mk.

“Duke vepruar sipas urdhrave për bastisje të shtëpive dhe ambienteve të tjera, të lëshuara nga gjyqtari i procedurës paraprake, u kryen bastisje te gjashtë persona, në gjithsej 12 lokacione në territorin e Qytetit të Shkupit, me ç’rast u privuan nga liria pesë persona. Gjatë bastisjeve u gjetën dhe u sekuestruan pushkë automatike, karikatorë për pushkë automatike, pushkë snajper, karikator për pushkë snajper, pistoleta, municion i kalibrave të ndryshëm, jelek taktik, pajisje për komunikim radio, flamur zyrtar i organizatës terroriste ISIS, një sasi më e madhe pajisjesh elektronike, telefona celularë, si dhe një shumë më e madhe parash në denarë dhe valuta të huaja”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Gjatë bastisjeve është konstatuar edhe përdorim i paautorizuar i energjisë elektrike, për çka po ndërmerren masa dhe aktivitete shtesë në përputhje me kompetencat ligjore.

K.I. (34) në vitin 2023 ka filluar të veprojë në kuadër të një organizate kriminale – një degë e bazuar në matricën ideologjike të organizatës terroriste ISIS, thonë nga MPB, me qëllim kryerjen e veprave penale në territorin e vendit tonë.

“Si pjesëtar i organizatës terroriste ISIS, ai ka kryer indoktrinimin e të rinjve për realizimin e qëllimeve të organizatës terroriste ISIS, ndërsa ka shpërndarë edhe materiale propagandistike me përmbajtje ekstremiste dhe radikale, si dhe ka siguruar dhe përdorur armë zjarri. B.A. (24) dhe E.S. (30), së bashku me K.I., kanë formuar një grup në të cilin në mënyrë të paautorizuar kanë poseduar, ndërmjetësuar dhe tregtuar me armë zjarri dhe municion”, thonë nga MPB.

Sektori për Luftimin e Terrorizmit, Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit pranë Departamentit për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Serioz, më 29.09.2026, në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka dorëzuar kallëzim penal ndaj tre personave nga Shkupi: K.I. (34), për veprat penale „terrorizëm“ (neni 394-b, paragrafi 5 në lidhje me paragrafin 1) dhe „prodhim, mbajtje, ndërmjetësim dhe trafikim i paautorizuar me armë ose lëndë shpërthyese“ (neni 396, paragrafi 5 në lidhje me paragrafin 3 dhe paragrafin 6) të Kodit Penal, si dhe ndaj B.A. (24) dhe E.S. (30), për veprën penale „prodhim, mbajtje, ndërmjetësim dhe trafikim i paautorizuar me armë ose lëndë shpërthyese“ (neni 396, paragrafi 6 në lidhje me paragrafin 1) të Kodit Penal.

Ndërkohë Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHP NKOK) tha se ka nisur hetim dhe ka kërkuar paraburgim për tre persona, nën dyshimin se kanë kryer veprat penale terrorizëm dhe prodhim, mbajtje, ndërmjetësim dhe trafikim të paautorizuar me armë dhe lëndë shpërthyese

I dyshuari i parë ngarkohet për terrorizëm, ndërsa të tre dyshohen për prodhim, posedim dhe trafikim të paautorizuar me armë dhe lëndë shpërthyese.

“Urdhri për zhvillimin e procedurës hetimore bazohet në dëshmitë e siguruara gjatë procedurës paraprake hetimore, në dokumentacionin dhe dëshmitë nga një lëndë që është në fazën e gjykimit, si dhe në dëshmitë e siguruara përmes ndihmës juridike ndërkombëtare”, bëjnë të ditur nga PTHP NKOK.

Prokuroria i ka dorëzuar Gjykatës Themelore Penale Shkup propozim që tre të dyshuarve t’u caktohet masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Aksioni u zhvillua dje në disa lokacione në Shkup nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) dhe Agjencia për Siguri Kombëtare (ASK).