Partia e Pensionistëve në RMV kërkon rritjen e limitit për trajtim spitalor falas 

Partia e Pensionistëve i tërheq vëmendjen dhe i kërkon Qeverisë që urgjentisht ta rrisë limitin nominal për trajtim spitalor falas për pensionistët me pensione të ulëta, transmeton Portalb.mk

Ky problem u paraqit pas rritjes së pensioneve nga marsi i këtij viti, kur pensioni minimal arriti pragun prej 18.292 denarë, ndërsa limiti për trajtim spitalor ende është 18.000 denarë. 

 Me këtë, siç thonë nga partia, asnjë pensionist në vend nuk përjashtohet nga participimi për trajtim spitalor, gjë që i godet më së shumti ata me pensionet më të ulëta dhe familjet e tyre. 

“Duhet theksuar se ky problem është edhe më i ndërlikuar, sepse njëkohësisht kemi edhe çmimet më të larta të barnave në rajon”, thonë nga Partia e Pensionistëve. 

Pensionistët kërkojnë që nga viti i ardhshëm të rritet limiti deri në të cilin nuk do të paguajnë participim për trajtim spitalor, dhe ai të arrijë në 25.000 denarë, ndërsa në të ardhmen të lidhet me lartësinë e pagës minimale. 

Kujtojmë se gjyqtarët kushtetues vendosën të fillojnë procedurë për rritjen e barabartë (lineare) të pensioneve në Maqedoni, për të cilën ndryshimi i fundit i Ligjit për Sigurimin Pensional dhe Invalidor u publikua më 29.07.2025. Gjykata po fillon procedurat mbi kushtetutshmërinë e ndalimit të rritjes së pensioneve sipas kohëzgjatjes së shërbimit, kontributeve, inflacionit etj., të kopjuara nga modeli zviceran, me amendamentin e fundit të votuar nga shumica e VMRO-DPMNE-së në Parlament, të vlefshme deri në mars 2026, kur parashikohet një rritje e re e pensioneve, përsëri e njëjtë për të gjithë.

Komisioni për Mbrojtjen nga Diskriminimi më 7 nëntor konstatoi se ndaj pensionistëve që jetojnë jashtë vendit është bërë diskriminim indirekt.