ANALIZË: Rritja lineare e pensioneve në Maqedoninë e Veriut, veprim zgjedhor apo ekonomik?  

Kryeministri “vendosi prerazi” – pensionet do të rriten në mënyrë lineare, para zgjedhjeve për 1.000 denarë. Qeveria propozoi me shpejtësi, e Kuvendi gjithashtu me shpejtësi i miratoi ndryshimet ligjore që hapën rrugën për rritjen lineare të pensioneve. Me këtë veprim sërish u braktis modeli aktual për rritjen e pensioneve – harmonizimi me shkallën e inflacionit dhe rritjen e rrogës mesatare. Ekspertët e konsultuar nga “Portalb”-i thonë se “rritja lineare e pensioneve” është një veprim parazgjedhor përpara zgjedhjeve lokale, por edhe një “paralajmërues” i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.

Pse rritje lineare e jo me përqindje e pensioneve…  

Në mes të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale, që do të mbahen më 1 tetor, pensionistët do të marrin pension më të lartë për 1.000 denarë – një herë në shtator të këtij viti dhe pastaj në mars të vitit të ardhshëm. Ndryshimet ligjore u votuan me procedurë të shkurtuar, me 79 vota pro dhe asnjë kundër ose të përmbajtur.    

“Koha e këtij vendimi është shumë e rëndësishme. Anashkalohet zgjidhja aktuale ligjore për rritje me përqindje të pensioneve dhe zbatohet qasja lineare.  Mendoj se është pritur ky moment.  Kur thoni rritje “lineare”, kjo tingëllon bukur gjatë fushatës zgjedhore. Mendoj se njoftimet për rritjen e transferimeve sociale, madje edhe vetë rebalanci i buxhetit, janë në kontekstin e zgjedhjeve”, thotë analisti ekonomik, Abil Baush.  

Vendimi për rritjen lineare të pensioneve për gjithsej  2.000 denarë u zbatua pa u ofruar një analizë financiare dhe argumente për justifikimin e këtij modeli për rritjen e pensioneve. E vetmja gjë që u tha ishte se kjo ishte kërkuar nga pensionistët dhe se qëllimi ishte përmirësimi i standardit të kësaj kategorie të qytetarëve.  

“Kjo do të thotë që pensionet do të rriten edhe për 2.000 denarë të tjerë, si vazhdim i rritjes së mëparshme prej 5.000 denarësh në vitin e parë të mandatit të kësaj qeverie. Gjithsej 7.000 denarë më shumë. Pensionistët e meritojnë gjithë vëmendjen, respektin dhe mbështetjen tonë. Nuk do të ndalemi këtu. Kjo është vetëm një pjesë e politikës së kujdesit, drejtësisë dhe përgjegjësisë ndaj së cilës jemi zotuar dhe të cilën po e zbatojmë me përkushtim”, tha kryeministri Hristijan Mickoski.  

Fakti që tani po paralajmërohet një rritje lineare e pensioneve në mars – paralajmëron edhe zgjedhje të parakohshme, thotë profesori Vanço Uzunov për “Portalb”-in.  

“Pensionet nuk janë kategori sociale. Nëse ndonjë qeveri dëshiron t’u ndihmojë pensionistëve – ka mekanizma të tjerë. Në këtë mënyrë, u bëhet padrejtësi atyre që kanë paguar kontribute më të larta gjatë kohës kur kanë punuar. Për më tepër, fakti që tashmë po paralajmërohet një rritje e pensioneve për muajin mars për 1.000 denarë, mendoj se është një shenjë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në pranverë”, thotë profesori Vanço Uzunov për Portalb.mk.

LSDM-ja opozitare njoftoi se do të nisë një iniciativë para Gjykatës Kushtetuese për të vlerësuar kushtetutshmërinë e ndryshimeve ligjore për rritjen lineare të pensioneve.  

“Qeveria po e shkatërron sistemin e rritjes me përqindje të pensioneve me atë që këtë herë shumica e pensionistëve, ose rreth 93% e tyre, do të dëmtohen dy herë, si gjatë rritjes së parë ashtu edhe gjatë të dytës. “Në fazën e parë, rreth 7,3% e pensionistëve që marrin pension minimal do të përfitojnë rreth 70 denarë” – thotë për Portalb.mk, Jovana Trençevska, ish-ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, deputete aktuale nga LSDM-ja.  

Ndryshimet ligjore për rritjen lineare u janë dërguar tashmë deputetëve dhe duhet të miratohen përpara se të shpallen zgjedhjet lokale. Në ndryshimet e propozuara nuk specifikohet shuma individuale për rritjen e pensioneve, por theksohet se shuma totale për rritjen me përqindje të të gjitha pensioneve do të shpërndahet në mënyrë lineare.  

“Të gjitha llojet e pensioneve që paguhen në Republikën e Maqedonisë së Veriut më 1 shtator 2025 dhe më 1 mars 2025 harmonizohen në atë mënyrë që shuma totale mujore e përftuar nga përqindja e rritjes së pensioneve e llogaritur si shumë e 50% të rritjes së indeksit të kostove të jetesës dhe 50% të rritjes së rrogës mesatare të paguar, pjesëtohet me numrin e përgjithshëm të përfituesve të pensionit”,  thuhet në ndryshimet e propozuara ligjore.  

Deri në fund të majit, në vend kishte 344.796 pensionistë.