Parlamenti Evropian: Maqedonia e Veriut nuk po bën përparim të mjaftueshëm drejt BE-së

Komiteti për Punë të Jashtme i Parlamentit Evropian miratoi raportin e eurodeputetit Thomas Weitz për Maqedoninë e Veriut, në të cilin vlerësohet progresi i vendit në procesin e integrimit evropian, por njëkohësisht evidentohen edhe sfidat që mbeten për t’u adresuar, transmeton Portalb.mk.

Në raport theksohet se institucionet demokratike vazhdojnë të funksionojnë në mënyrë të qëndrueshme dhe përgjithësisht të kënaqshme. Megjithatë, shprehet shqetësim për ngadalësimin e disa reformave të rëndësishme, si dhe për vazhdimin e polarizimit politik, i cili sipas dokumentit po ndikon negativisht në avancimin e proceseve reformuese.

Raporti nënvizon nevojën për një dialog më konstruktiv politik dhe përshpejtimin e reformave kyçe, veçanërisht në fushat që lidhen me sundimin e ligjit, funksionimin e institucioneve dhe procesin e integrimit evropian.

Pas miratimit në komitetin parlamentar, raporti do të procedohet për votim në seancën plenare të Parlamentit Evropian, ku pritet të marrë mbështetjen përfundimtare.

Kujtojmë se në mars, amendamentet në raportin e Thomas Weitz për Maqedoninë në Parlamentin Evropian ndezën përsëri alarmin në Sofje. BGNES, publikoi një reagim të gjatë në të cilin vlerëson se kërkesa që Këshilli Evropian të deklarojë statusin ligjor të protokollit të dytë të nënshkruar midis Bullgarisë dhe Maqedonisë është një përpjekje që vendi ynë të fillojë negociatat me BE-në pa përmbushur kushtin nga Korniza Negociuese – që bullgarët të hyjnë në Kushtetutë.

Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.

Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.