RMV në mes të krimeve ndërkombëtare, priten sulme të reja të hakerëve në sektorin e inteligjencës dhe policisë

Sektori i sigurisë së inteligjencës dhe policisë në Maqedoninë e Veriut do të përballet me sfida, kërcënime dhe rreziqe të mëdha. Sulmi i fundit, i cili po pritet, përfshin edhe një nga shërbimet kryesore të inteligjencës në rajon, i cili mbështetet dhe ndihmohet nga anëtarë të partisë opozitare VMRO-DPMNE, por edhe nga një pjesë e strukturave qeverisëse, madje edhe disa zyrtarë të LSDM dhe/ose individë të mbështetur nga partia në pushtet LSDM, thuhet në një analizë të Instituti Ndërkombëtar për Studimet e Lindjes së Mesme dhe Ballkanit (IFIMES), publikuar muajin që lam pas, e cila analizon rregullisht zhvillimet në Lindjen e Mesme, Ballkan dhe në mbarë botën, transmeton Portalb.mk.

Në analizë thuhet se për shkak të pozitës së saj gjeopolitike dhe gjeostrategjike, Maqedonia e Veriut është në udhëkryq të krimeve rajonale dhe ndërkombëtare, si dhe të interesave të ndryshme.

“Si rezultat, Ministria e Punëve të Brendshme dhe shërbimet e sigurisë dhe zbulimit po investojnë përpjekje të mëdha për të luftuar krimin (e organizuar) dhe korrupsionin. Për më tepër, përpjekjet e tyre janë gjithashtu pengesa më e madhe për migrantët që aspirojnë të kalojnë nëpër territorin e Maqedonisë së Veriut për të arritur në BE. Prandaj, Maqedonia e Veriut po e mbron BE-në nga emigrantët kryesisht përmes përpjekjeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme”, thuhet në analizë.

Zbatimi i operacionit sekret të fshehtë të koduar “Rösselsprung”, i cili koordinohet nga Budapesti, sipas IFIMES, ende përbën një kërcënim dhe rrezik të lartë sigurie. Qëllimi kryesor i operacionit është rrëzimi i qeverisë ekzistuese dhe kthimi i ish-kryeministrit Nikolla Gruevski (VMRO-DPMNE) në Maqedoninë e Veriut. Prandaj, është e rëndësishme që autoritetet maqedonase, së bashku me partnerët dhe aleatët nga BE dhe SHBA, të insistojnë me Hungarinë për ekstradimin zyrtar të Gruevskit në Maqedoninë e Veriut.

“Destabilizimi i shtetit është intensifikuar përmes gjenerimit të skandaleve të shumta. Më shumë se 160 portale mediatike që prodhojnë lajme të rreme dhe skandale janë zbuluar dhe lokalizuar. Kompania që menaxhon faqet e internetit që mbështesin partinë opozitare VMRO-DPMNE është e lidhur me shërbimin e transmetimit publik hungarez Magyar Televizo (MTV), i cili favorizon partinë në pushtet Fidesz të kryesuar nga kryeministri hungarez Viktor Orbán. Fokusi i operacionit të inteligjencës Rösselsprung është ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski (LSDM), sepse qëllimi është që patjetër të lahen hesapet me të. Prandaj, parashikohet sulmi më i madh i sigurisë-zbulimit ndaj Maqedonisë së Veriut dhe ministrit Spasovski”, thuhet në analizë.

Oliver Spasovski
Ministri i Brendshëm i RMV-së, Oliver Spasovski/Foto: Facebook

Që nga fillimi i punës së Rösselsprung, sipas IFIMES, ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski ka qenë objektivi kryesor, si një lloj hakmarrjeje për punën e tij.

“Ministri Spasovski ka luajtur një rol kyç në mbrojtjen e rendit kushtetues-juridik dhe të sistemit policor-gjyqësor të vendit. Sektori i sigurisë-inteligjencës dhe policisë në Maqedoninë e Veriut do të përballet me sfida, kërcënime dhe rreziqe të mëdha, të cilat fatkeqësisht vijnë nga disa vende anëtare të BE-së dhe NATO-s. Sulmi i tyre i fundit, i cili po pritet, përfshin edhe një nga shërbimet kryesore të inteligjencës në rajon, i cili mbështetet dhe ndihmohet nga anëtarë të partisë opozitare VMRO-DPMNE, por edhe nga një pjesë e strukturave qeverisëse, madje edhe disa zyrtarë të LSDM dhe/ose individë të mbështetur nga partia në pushtet LSDM”, shkruan IFIMES.

Analistët, sipas analizës, besojnë se është një pikë shqetësuese fakti që aleanca e NATO-s, por edhe BE-ja dhe SHBA-ja, tolerojnë veprime të tilla të shërbimeve të sigurisë dhe zbulimit të vendeve të tyre anëtare në Maqedoninë e Veriut. Veçanërisht pasi veprime të tilla nuk synojnë vetëm interesat kombëtare të një vendi anëtar sovran, por edhe kundër interesave të vetë NATO-s.

“Në pritje të sulmit më të madh të sigurisë dhe inteligjencës ndaj Maqedonisë së Veriut, i cili mund të përbëjë një moment historik të sigurisë, është e nevojshme të sigurohet mbështetja dhe ndihma adekuate nga vendet partnere dhe aleatët, të rritet mbrojtja fizike e institucioneve kryesore shtetërore dhe bartësve të funksioneve kryesore publike, veçanërisht ministri Spasovski, i cili është propozuesi kryesor i aktiviteteve për shtypjen e operacionit të inteligjencës Rösselsprung dhe veçanërisht të ndikimit rus dhe kinez. Është thelbësore të parandalohen sulmet duke ndërmarrë aktivitete që variojnë nga parandalimi në sulm, gjë që autoritetet e Maqedonisë së Veriut duhet ta koordinojnë me aleatët dhe partnerët e tyre. NATO dhe BE duhet ta ndihmojnë këtë vend premtues evropian që të avancojë në procesin e negociatave dhe të vazhdojë të jetë një promotor dhe mbrojtës i vlerave dhe perspektivave evropiane në rajon. Sulmet kundër Maqedonisë së Veriut po ndodhin nën hijen dhe sfondin e luftës në Ukrainë, duke e bërë atë edhe më të rrezikshme.”, thuhet në analizën e IFIMES.

Ministri Spasovski disa javë më parë, pati deklaruar se “gjendja e sigurisë në vend është stabile, dhe MPB-ja me sukses po e kryen punën e saj për të garantuar sigurinë e çdo qytetari në vendin tonë”. Sot, sipas tij, Republika e Maqedonisë së Veriut është në gjendje të përdorë mësimet e nxjerra, të bashkëpunojë, si dhe të kontribuojë në të gjitha aktivitetet relevante të BE-së dhe NATO-s në lidhje me kërcënimet hibride. Ai theksoi se në nivel shtetëror është themeluar Këshilli Nacional për Siguri Kibernetike sipas standardeve më të fundit të NATO-s, i përbërë nga anëtarë nga disa institucione relevante në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Aktualisht po zbatohet edhe Strategjia Kombëtare e Sigurisë Kibernetike 2018 – 2022, e cila është zhvilluar në përputhje me Strategjinë e BE-së për Sigurinë Kibernetike.

Kujtojmë se, nga 26 tetori i vitit 2022 në RMV disa herë është denoncuar se në email-adresat e disa shkollave në vend është dërguar kërcënim për vendosje të bombës. Krahas shkollave të mesme dhe fillore, ka pasur edhe raportime anonime për bomba të vendosura edhe në institucione dhe qendra tregtare.  Numri më i madh i kërcënimeve të rreme ka ndodhur në shkurt – madje 439, gjegjësisht vetëm në pesë ditë të javës së punës nuk ka pasur kërcënim me bombë. Në nëntor ka pasur 30 kërcënime, në dhjetor 272, kurse më 1 mars të këtij viti është arritur rekordi – madje 120 shkolla dhe institucione të tjera kanë marrë kërcënim të rremë brenda një dite se është vendosur bombë.

Ndërkohë, sistemi i FSSh-së ishte i padisponueshëm nga 7 shkurti, për dy javë të plota.