Grkovska me përfaqësuesit e Konventës Nacionale të BE-së në RMV bisedoi për zvogëlimin e korrupsionit në sektorin publik

Zëvendëskryeministrja e ngarkuar për Politika për Qeverisje të Mirë, Sllavica Grkovska, ka mbajtur takim me profesorët universitar, Mileva Gjurovska, Marina Mitevska dhe Dragan Tevdovski, por edhe përfaqësuesit e Konventës Nacionale për Bashkimin Evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut (KNBE-RMV), njofton Portalb.mk.

KNBE-RMV paraqet forum demokratik për dialog të hapur dhe transparent për çështje lidhur me bisedimet hyrëse për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Arsyeja e takimit ka qenë etapa e re në punën e KNBE-RMV, e cila fokusohet në luftën me korrupsionin dhe mbrojtjen e interesave financiare të shtetit. Në atë drejtim, është kërkuar mbështetje dhe përfshirje të zëvendëskryeministres për Qeverisje të Mirë në aktivitetet e grupit të punës të sapoformuar për antikorrupsion, i cili në periudhën e ardhshme do të punojë në rekomandimet për përmirësim të menaxhimit me financat publike dhe transparencën fiskale, me qëllim të zvogëlimit të mundësive për sjellje korruptive në sektorin publik.

Zëvendëskryeministrja Grkovska, ashtu siç thuhet në kumtesë, ka shprehur gatishmërinë për mbështetjen e Konventës Nacionale për BE dhe ka theksuar se në të gjitha aktivitetet lidhur me procesin hyrës, patjetër duhet të përmirësohet edhe informimi i qytetarëve për përfitimet nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian.

Përfaqësuesit e KNBE-RMV e kanë informuar zëvendëskryeministren Grkovska për aktivitetet e deritanishme të kësaj platforme, e cila shtatë vitet e kaluara aktivisht punon në zhvillimin e participimit profesional dhe gjerë në përgatitjen e përmbajtjeve relevante. Nga puna e tyre e deritanishme, nga perspektiva e klasterëve, kanë dalë 600 rekomandime të publikuara për institucionet shtetërore.