Fjala latine Pax (paqe) nënkupton kohën që kalon pa luftë e trazira. Është një nga nevojat kryesore të qenies njerëzore dhe përtej. Është si buka, kripa dhe uji për qeniesim të natyrshëm. Paqja shenjon qetësinë, rehatinë, mundësinë për t’u vetërealizuar pa ndërhyrje dëmtuese të jashtme, pa turbullira e dhimbje. Paqja është një gjendje e thellë dhe e lindur e balancit të brendshëm dhe e unitetit me qielloren ose realitetin përfundimtar, të arritura përmes qetësimit të egos dhe mendjes me praktika si meditimi dhe vetëdija, që çon në një mënyrë jetese harmonike dhe të dhembshur, e cila natyrshëm shtrihet në krijimin e paqes botërisht, duke i tejkaluar konfliktet dhe vuajtjet e jashtme.
Paqja është kategori brendahumane që e qetëson shpirtin, mundëson bashkekzistimin me të tjerët. Është njësi që rezulton me satisfaksion të përgjithshëm. Pra është entitet psikologjik, sociologjik, por edhe i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe diplomacisë. Ajo sjell ekuilibër individual, shoqëror dhe global. Pra përveç dimensionit psikologjik, ka edhe të sociologjik dhe politologjik. Në fjalorët e marrëdhënieve ndërkombëtare ajo përmendet shpesh si zë relevant i politikës dhe eukilibrave globale që në çerekun e dytë të shekullit XXI duken tepër të lëkundura. Në këtë shkrim do të përqendrohemi te tipologjia e paqeve historike, nga antikiteti deri në kohën aktuale kur mbizotëron një krizë planetare lidhur me sigurimin e paqendërtimit, gjithë kjo pasojë e përplasjeve ideologjike dhe të interesave të partikulare dhe të perandorive të kohës.
Pax Romana
Paqja brenda kufijve romakë; në kufij, legjionet ishin vazhdimisht në luftë për të nënshtruar rezistencën dhe për të zgjeruar territorin. Historiani Tacitus ka shkruar një thënie të famshme mbi këtë paqe, duke vënë në gojën e një udhëheqësi britanik fjalët: “Ata krijojnë një shkretëtirë dhe e quajnë atë paqe.”
Pax islamica
Paqja islame. Islamologët e përdorim këtë shprehje për të karakterizuar botën myslimane gjatë epokës së kulmit kulturor të periudhës së kalifatit abasit; metaforë e qytetërimit islam në aspektin historik, kulturor, social dhe politik. Shenjë e zbatimit dhe jetësimit të parimit kuranor “populli i mesëm” (ummeten vasatan).
Pax Ottomana
Paqja osmane. Term që shënon paqen dhe tolerancën osmane, kontributin e kësaj superfuqie të dikurshme në paqen botërore, në veçanti në Ballkan, në brigjet e Detit të Zi, Kaukaz, në Lindjen e Mesme dhe në hapësirën e Afrikës Veriore. Stabilitet ekonomik dhe shoqëror i arritur në provincat e pushtuara/çliruara nga Perandoria Osmane.
Pax Britannica
Paqja britanike. Paqë e imponuar nga Mbretëria e Bashkuar ndaj kombeve armiqësore, në veçanti në shek. XIX me konotacion gjeopolitik dhe ekonomik. Periudhë e paqes relative mes fuqive të mëdha gjatë së cilës Perandoria Britanike u shndërrua në fuqi hegjemonike dhe ka marrë rolin e policit ose hegjemonit global. Kjo sintagmë lidhet me periudhën mes fundit të Luftërave Napoleonike (1815) dhe fillimit të Luftës së Parë Botërore më (1914).
Pax Sovietica
Paqja sovjetike. Një term analitik që përdoret për të përshkruar rendin gjeopolitik të dominuar nga Soviet Union pas Luftës së Dytë Botërore, veçanërisht në Evropën Lindore dhe pjesë të Euroazisë. Paqe e mbështetur në kontroll politik, ushtarak dhe ideologjik.
Pax Russica
Paqja ruse është një term gjeopolitik që përdoret për të përshkruar një rend rajonal ose ndërkombëtar të dominuar nga Rusia, ku stabiliteti ose “paqja” garantohen përmes fuqisë dhe ndikimit rus. “Pax Russica” përdoret për: projektin e rikthimit të ndikimit rus në hapësirën post-sovjetike; konceptin e “botës ruse” (Russkiy Mir); një rend sigurie në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore nën orbitën e Moskës.
Pax Americana
Paqja amerikane. Pikëpamje sipas të cilës mirëqenia dhe paqja në shtetet e zhvilluara të hemisferës perëndimore sigurohet nga statusi i superfuqisë së Shteteve të Bashkuara. Rendi i ri botëror amerikan. Shpërbërja e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991 shënoi kulmin e dominimit amerikan, i cili shpesh quhet si “momenti unipolar”, ku SHBA-ja qëndronte si e vetmja “hiperfuqi” në botë. Termi “hiperfuqi” (hyperpuissance), i krijuar nga ish-ministri i jashtëm francez Hubert Védrine, shkon përtej termit “superfuqi”. Ai përshkruan dominimin në të gjitha sferat. Një nga tiparet e qeverisjes globale amerikane janë ambiciet e tepruara “perandorake” (imperial overstretch). Paqja amerikane si një term specifik shënon fuqinë perandorake Amerikës që me dekada bën liderizmin apo “çaushërinë globale” herë në bazë të interesave e pragmatizmit apo realizmit sui generis e herë në bazë të R2P, etikës ndërkombëtare dhe idealizmit.
Pax Sinica
Term gjeopolitik që përshkruan periudhat e stabilitetit, paqes dhe dominimit të udhëhequr nga Kina në Azinë Lindore. Ky koncept është aplikuar si për epokat e arta të perandorive të lashta kineze, ashtu edhe për ambiciet moderne të Kinës në skenën globale për një botë-shekull kinez apo rend Kinë-qendrik (China-centered order).
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.