Barazia gjinore mbetet vetëm në letër, KE-ja e ritheksoi se RMV-ja nuk ka shënuar përparim
Maqedonina e Veriut nuk ka shënuar përparim të dukshëm në fushën e barazisë gjinore, pasi gratë vazhdojnë të përballen me pjesëmarrje të ulët në tregun e punës, përfaqësim të kufizuar në pozita udhëheqëse dhe mungesë mbështetjeje ndaj dhunës me bazë gjinore. Këtë mes tjerash e thotë Raporti i progresit i Komisionit Evropian, i cili rekomandon që vendi të përshpejtojë përafrimin e legjislacionit me atë të BE-së, veçanërisht në fushën e barazisë gjinore, si dhe të forcojë reformat sociale, shkruan Portalb.mk.
Në raport theksohet se buxhetimi me përgjegjësi gjinore është përfshirë si një parim i Organizatës Botërore të Punës, por është e nevojshme të thellohen diskutimet politike gjatë përgatitjes së buxhetit, të përmisohen klasifikimet dhe të rritet numri i treguesve të ndarë sipas gjinisë.
Raporti gjithashtu thekson ngacmimet online dhe dhunën me bazë gjinore drejtuar gazetareve vajza/gra.
“Korniza ligjore dhe institucionale mbi barazinë gjinore dhe luftimin e dhunës me bazë gjinore është e paplotë. Nuk ka pasur zhvillime të rëndësishme në kuadrin kombëtar të politikave për integrimin e barazisë gjinore dhe as në përpjekjet për t’u përafruar me legjislacionit të BE-së dhe standardet përkatëse ndërkombëtare mbi barazinë gjinore. Zbatimi i strategjisë kombëtare për barazinë gjinore (2022-2027) dhe plani i saj përkatës i veprimit mbetet i mangët. Nevojiten përpjekje më të mëdha për reformat institucionale dhe ligjore për të adresuar aspektet kryesore të barazisë gjinore, veçanërisht në qasjen e jetës politike, ekonomike dhe sociale, si dhe në qasjen e shërbimeve shëndetësore, parandalimin e dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje, dhe mbrojtjen e viktimave”, thuhet në raport.
Rekomandimet e Komisionit Evropian nga viti i kaluar u zbatuan pjesërisht dhe mbeten të vlefshme. Por për vitin e ardhshëm, komisioni rekomandon që Maqedonia e Veriut të përmirësojë legjislacionin në përputhje me standardet e BE-së për barazinë dhe mos diskriminimin në punësim, duke përfshirë ekuilibrin punë jetë, transparencën e pagave dhe përfshirjen e grave në bordet drejtuese.
Komisioni Evropian rekomandon që periudhën në vijim RMV-ja:
- Të ndërmarrë hapa për të përafruar legjislacionin kombëtar me legjislacionin e BE-së dhe standardet e BE-së mbi barazinë dhe mos diskriminimin në punësim, duke përfshirë edhe legjislacionin e BE-së për barazinë gjinore.
- Të vazhdojë të zbatojë strategjitë e aktivizimit të tregut të punës për gratë.
Edhe në Raportin e Komisionit Evropian për vitin 2024 Maqedonia e Veriut u vlerësua se nuk ka bërë përparim në avancimin e barazisë gjinore, pa zhvillime të rëndësishme në kornizën e saj kombëtare të politikave për integrimin e barazisë gjinore dhe përafrimin me acquis-in e BE-së.
Raporti i Progresit i vitit 2025 për Maqedoninë e Veriut dhe vendet e tjera që aspirojnë BE-në u publikua më 4 nëntor.