Papa Leo kërkoi falje për heshtjen historike të Kishës ndaj skllavërisë dhe paralajmëron për rreziqet e IA-së
Papa Leo XIV në enciklikën e tij të parë, të titulluar “Magnifica Humanitas”, ka bërë thirrje për kontroll më të madh dhe rregulla etike në zhvillimin e inteligjencës artificiale, duke paralajmëruar se teknologjia mund të përdoret për manipulim, mbikëqyrje dhe përqendrim të pushtetit në duart e kompanive të mëdha teknologjike, raporton The Guardian.
Ai theksoi se inteligjenca artificiale duhet të jetë në shërbim të njeriut dhe jo të zëvendësojë dinjitetin, lirinë apo vendimmarrjen njerëzore. Papa paralajmëroi edhe për përdorimin e AI në luftëra dhe propagandë, duke kërkuar përgjegjësi globale për mënyrën se si zhvillohet kjo teknologji.
Në dokument, Papa Leo XIV trajtoi edhe të kaluarën e Kishës Katolike, duke pranuar se Kisha historikisht nuk ka reaguar mjaftueshëm kundër skllavërisë. Ai kërkoi falje për këtë heshtje dhe tha se bota sot po përballet me “forma të reja skllavërie”, sidomos në ekonominë digjitale dhe tregun modern të punës.
Enciklika është parë si një ndër dokumentet më të rëndësishme të Vatikanit për teknologjinë dhe etikën moderne. Papa u bëri thirrje qeverive, kompanive dhe institucioneve ndërkombëtare që të bashkëpunojnë për të siguruar që zhvillimi i inteligjencës artificiale të mos cenojë të drejtat dhe liritë themelore të njerëzve.