Panovski: Të dish rezultatet e ujit në Gostivar dhe të heshtësh është krim

Profesori Nikola Panovski tha për “Sloboden Peçat” se fakti që Prokuroria dhe autoritetet shëndetësore – Instituti i Shëndetit Publik dhe Ministria e Shëndetësisë – i dinë rezultatet e ujit të testuar në Gostivar dhe nuk ua tregojnë është krim, sepse në këtë mënyrë, sipas profesorit, ata pengojnë qytetarët të trajtohen. Sipas tij, shëndeti publik, madje edhe shëndeti i vetëm një personi, është më i rëndësishëm se çdo gjë, raporton Portalb.mk.

“Ky është një krim. Imagjinoni një situatë: Një pacient është i shtrirë në spital me një lloj helmimi. Spitali nuk i ka bërë analizat sipas protokollit, por Zyra e Shëndetit Publik dyshon për një shkak dhe urdhëron të bëhen analiza laboratorike. Pastaj Zyra e Shëndetit Publik nuk u tregon mjekëve rezultatet sepse hetimi është duke vazhduar, pacienti vdes. Hetimi përfundon dhe rezulton se nëse mjekët do ta dinin shkakun, do t’i kishin dhënë pacientit ilaçin e duhur dhe do ta kishin shpëtuar. Çdo lidhje me ngjarjen në Gostivar është e qëllimshme”, tha Panovski për “Sloboden Peçat”.

Ai thotë se është regjistruar në Fakultetin e Mjekësisë që nga viti 1973 dhe është hera e parë që dëgjon një “budallallëk” të tillë, siç e quajti ai.

Ndryshe, Ministria e Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut sot njoftoi se ka rënie të numrit të pacientëve në shtëpitë e shëndetit në Gostivar. Ministria raportoi se deri më tani në Spitalin e Përgjithshëm në Gostivar janë regjistruar 1 554 pacientë, në Shtëpinë e Shëndetit në Gostivar 1 392 pacientë.

Gostivari po përballet me një epidemi të problemeve gastrointestinale, pasi numri i qytetarëve me simptoma si diarre, të vjella dhe dehidratim vazhdon të jetë i lartë. Sipas ministrit të Shëndetësisë, Sasho Klekovski, çdo ditë paraqiten rreth 250 deri në 300 pacientë të rinj. Institucionet shëndetësore po kryejnë analiza laboratorike dhe hetime epidemiologjike për të përcaktuar shkaktarin, ndërsa qytetarëve u është rekomanduar të mos e përdorin ujin nga rrjeti i ujësjellësit për pije dhe për përgatitjen e ushqimit deri në daljen e rezultateve përfundimtare.