Panel debat për botën digjitale: Prindërit mundohen shumë t’i mbrojnë fëmijët dhe pak t’i aftësojnë ato të vetëmbrohen

Duke i refuzuar teknologjitë e reja ne bëjmë gabimet e prindërve tanë, duhet t’i edukojmë fëmijët dhe të rinjtë si mund të orientohen të sigurt në botën digjitale, kjo mes tjerash u tha në panel-diskutimin e sotëm me temë “Gjithmonë së bashku: Efekti i Botës Digjitale te fëmijët dhe të rinjtë” i cili u organizua në kuadër të Ditëve të Edukimit Mediatik nga MIM dhe IREX, në kuadër të projektit për edukim mediatik “YouThink”, raporton Portalb.mk.

Qëllimi i debatit ishte të diskutohet për atë se si prindërit, mësimdhënësit, institucionet dhe madje edhe shteti mund të kontribuojnë që fëmijët dhe të rinjtë jo vetëm të jenë të mbrojtur në botën digjitale, por edhe të udhëzohen se si ta përdorin atë në mënyra produktive.

Panelisti Stefan Janjiq, docent në repartin e Studimeve Mediatike, në Fakultetin e Filozofisë në Novi Sad shpjegoi konceptin e kutisë së zezë, sipas të cilës në një lajm ose informatë jo gjithmonë mund ta sqarojmë si kemi arritur në atë përfundim në një mënyrë që të jetë e kuptueshme për të gjithë. Si shembull, ai tregoi një tekst ku, për shkak të terminologjisë specifike, një individ që nuk është i fushës përkatëse nuk mund ta kuptojë çfarë do të thotë. Prandaj, tha ai, informatat që i tregohen publikut kanë një masë “fshehtësie” të nevojshme, që quhet “kutia e zezë”. Në vijim u tregua se si mund ta kontrollojmë një informatë a është e vërtetë pa patur njohuri të një fushe specifike.

“Nëse ju them se mesatarisht njerëzit që preferojnë macet kanë paga më të larta se njerëzit që preferojnë qentë, ju duhet të bëni pyetje si: nga erdhi ky informacion? A ka një burim të besueshëm? Me sa persona është bërë eksperimenti? A është kontrolluar për faktorë që mund të ndikojnë te rezultatet, si mosha, niveli arsimor dhe profesioni? Por nëse them “Jo, është e vërtetë, pashë një TED Talk për këtë. Aty u shpjegua se pronarët e maceve vlerësojnë pavarësinë, ndërsa pronarët e qenve vlerësojnë besnikërinë”. Atëherë ju duhet të bëni pyetje të tilla si: Kush ishte folësi? A paraqiti ai ndonjë hulumtim specifik kërkimor apo e tha më shumë si anekdotë?”, tha Janjiq.

Mësimdhënësit, tha ai, mund të përdorin edhe qasje më të drejtpërdrejta, për shembull të argumentojnë me klasën për një temë të caktuar, të themi, për teorinë e botës së sheshtë, por nxënësit të përdorin internetin për të gjetur dëshmi pro ose kundër.

Pastaj foli Tiana Ivanovska, psikologe dhe themeluese e qendrës klinike “Sebeslozhuvalka”. Ajo, nga përvoja e saj si psikoterapeute që punon edhe me prindër, u pyet për bullizmin në rrjete sociale dhe si mund t’i mbrojmë fëmijët nga bullizmi në botën digjitale.

Ivanovska tha se viktimat e bullizmit “janë gjithmonë nxënës më të turpshëm, që kanë më pak karizëm sociale, ndoshta janë thjeshtë introvertë. Në përgjithësi janë nxënësit që nuk dinë si të sillen me masën, me mendimin e të tjerëve”.

Ajo shtoi se shkollat veçse po mundohen të ofrojnë zgjidhje sistemore me ndërrimin e klasave dhe përfshirjen e prindërve, por ajo vetë si psikoterapeute i udhëzoi prindërit të mundohen më shumë të punojnë me fëmijët se sa me rrethin e tyre social. Sipas saj, prindërit dhe shkollat më shumë mundohen t’i mbrojnë fëmijët nga çdo e keqe se sa t’i udhëzojnë ato të vetëmbrohen dhe të orientohen në shoqëri.

“Numër një është që prindërit të punojnë për vetëbesimin e fëmijëve të tyre dhe t’i lënë ata të marrin vendimet e tyre në atë mënyrë që: t’i respektojnë zgjedhjet e tyre, t’i udhëzojnë ata drejt vendimeve më të mira, por nuk jo të marrin vendime në emër të tyre”, tha Ivanovska.

Moderatorja e debatit, Tiana Ivanovska dhe Ognen Janeski.
Moderatorja e debatit, Tiana Ivanovska dhe Ognen Janeski.

Ognen Janeski, gazetar, u përqendrua në tematikën e të ashtuquajturve “influencer” dhe si ndikojnë ato te fëmijët dhe te rinia. Ai ishte i mendimit se reagimi jonë ndaj revolucionit teknologjik të ditëve të sotme nuk është shumë ndryshe nga reagimi i prindërve dhe gjyshërve tanë ndaj kompjuterëve dhe televizorëve. Pikë së pari, duke refuzuar t’i përdorim ato, tha ai, ose duke u munduar t’i izolojmë fëmijët prej tyre, i bëjmë gabimet e njëjta si gjeneratat e vjetra.

Për sa u përket influencerëve, ai tha se duke qenë se ato tani kanë shumë ndikim të madh te fëmijët, madje ka edhe shumë fëmijë që janë influencerë në moshë ku nuk mund ta parashikojnë si mund të ndikojnë gjërat që thonë te publiku i gjerë, është koha të ndërmerren disa masa në nivel shtetëror, qoftë nëpërmjet kodeksit etik, rregulloreve ose ligjit.

“Influencerët duhet të kuptojnë se mbajnë një përgjegjësi shumë më të madhe se ndoshta edhe ne që punojmë në gazetari, sepse ne jemi dëshmitarë se si edhe në vendin tonë … kemi ndër shembujt negativ reklamime të dietave më të këqija si të shëndetshme, reklamim të ushqimeve, reklamim të produkteve të çuditshme. Ne shkuam edhe deri aty ku industria e duhanit dhe industritë që merren me prodhimin, shpërndarjen dhe shitjen e alkoolit dhe prodhimeve të duhanit e gjetën mënyrën e reklamimit përmes influencerëve”, tha Janeski.

Mirëpo, sipas tij poashtu është e rëndësishme që ne me fëmijët të kemi biseda rreth këtyre temave ashtu që ato të jenë më të informuar dhe më të përgatitur për t’u orientuar në botën digjitale. Ai mori si shembull personal mbesën e tij e cila është tetë vjeçare dhe ka mijëra ndjekës në TikTok, kur në atë moshë ajo as nuk ka koncept të famës, kështu që ai dhe motra e tij janë ulur të bisedojnë me të, t’i sqarojnë përse nuk duhet në atë moshë ta bëjë publike fytyrën e saj dhe informatat personale.

Konferenca “Edukimi mediatik në hapësirat digjitale” do të hapë edicionin e pestë të Ditëve të edukimit mediatik të organizuar nga Rrjeti i për edukim mediatik. Ajo organizohet nga Agjencia për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele, Fondacioni Metamorfozis, Instituti maqedonas për media dhe IREKS.

Ditët e edukimit mediatik janë ngjarja më e rëndësishme kombëtare për mobilizimin e qytetarëve, institucioneve arsimore, organizatave të shoqërisë civile, mediave dhe institucioneve shtetërore dhe për ndërgjegjësimin për progresin e arritur në media dhe informacion.