Pesë shtetas të RMV-së ndodhen në Gaza, duan të kthehen në vend

Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) ka njoftuar se pesë shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut ndodhen në Gaza dhe të njëjtit kanë shprehur interes për t’u kthyer në Maqedoninë e Veriut, raporton Portalb.mk.

“Përveç çiftit martesor, për të cilin më herët kishim informacione se ndodheshin në Gaza, në ndërkohë Ambasada jonë në Kajro është kontaktuar edhe nga një familje – baba dhe dy fëmijë, të gjithë shtetas të Maqedonisë së Veriut. Për fëmijët janë siguruar dokumente për kthimin e tyre në Maqedoninë e Veriut, ndërsa nga institucionet kompetente në Kajro dhe Tel Aviv është marrë informacion se të pesë shtetasit janë futur në listën për evakuim, për të cilën pritet vendimi për hapjen e pikës kufitare Rafah”, informoi MPJ.

Ministria tregon se dy ambasadat e Maqedonisë së Veriut, në Kajro dhe Tel Aviv, janë në komunikim të vazhdueshëm me të gjithë qytetarët e vendit.

“Hapja e pikës kufitare kushtëzohet nga kushtet në terren dhe për momentin pika kufitare është e mbyllur. Ndërkohë po punohet në identifikimin dhe mbledhjen e të dhënave për shtetas tjerë që mund të ndodhen në Gaza.”, theksojnë nga MPJ.

Shtetasit tjerë që ndodhen në Gaza mund të kontaktojnë në numrat e telefonit të Ministrisë së Punëve të Jashtme – 075/273- 732 dhe 075/268-736, si dhe në telefonin kujdestar të Ambasadës në Tel Aviv +972-54-926-7378 dhe telefonin kujdestar të Ambasadës në Kajro +201033615542.

Ndryshe, Gaza është nën bombardimet izraelite dhe bllokadë që nga 7 tetori, kur Hamasi nisi operacionin “Tufani i Aksa-së”, sulm i befasishëm dhe shumëdimensional që përfshinte lëshimin e raketave nga toka, deti dhe ajri.

Grupi tha se inkursioni ishte hakmarrje për sulmet në xhaminë Al-Aksa dhe dhunën në rritje të kolonëve izraelitë kundër palestinezëve.

Ushtria izraelite më pas nisi operacionin “Shpata e Hekurt” kundër objektivave të Hamasit në Rripin e Gazës.

Gati 7.200 njerëz janë vrarë në konflikt, përfshirë të paktën 5.791 palestinezë dhe mbi 1.400 izraelitë.