Meta fakt: Janë shkelur të gjitha afatet për miratimin e Ligjit për Veprim Klimatik

Janë shkelur të gjitha afatet e parapara për miratimin e Ligjit për Veprim Klimatik në Kuvendin e RMV-së. Edhe pse qeveria në programin e saj ka premtuar se kjo zgjidhje ligjore do të miratohet në vitin 2022, ajo mbetet e pa miratuar. Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor në fillim të gushtit të këtij viti e ka publikuar draft versionin përfundimtar të Projektligjit për Veprim Klimatik, e ai ende nuk ka kaluar në procedurë parlamentare. Ky premtim i Qeverisë për miratimin e Ligjit për Veprim Klimatik deri në vitin 2022 nuk është realizuar, transmeton Portalb.mk nga Meta.mk.

Në Programin e punës të Qeverisë së RMV-së për periudhën 2022-2024 në faqen 24, është shkruar premtimi i Qeverisë se në vitin 2022 do të miratohet Ligji për Veprim Klimatik, i cili ligjërisht do t’i detyrojë institucionet të zbatojnë aktivitete për dekarbonizim dhe të sigurojnë matshmërinë e shkallës së dekarbonizimit, fillimisht në sektorin e energjetikës dhe transportit, por edhe në sektorët e tjerë me potencial për zvogëlimin e emetimeve të gazrave serrë, sipas dokumenteve të miratuara në nivel kombëtar dhe Paketës Evropiane të Energjisë së Pastër, Deklaratës së Sofjes, Udhërrëfyesit për dekarbonizimin e Ballkanit Perëndimor, BE-së dhe komunitetit energjetik.

Edhe krahas një premtimi të tillë të Qeverisë, as në vitin 2023 Kuvendi nuk e miratoi Ligjin për Veprim Klimatik. Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor në fillim të muajit gusht të vitit 2023 e shpalli draft-versionin përfundimtar të Propozim-Ligjit për Veprim Klimatik. Meta.mk e kontrolloi në faqen e Kuvendit të RMV-së për të parë nëse ligji i propozuar është dërguar nga pushteti ekzekutiv për shqyrtim para deputetëve, por deri më 16 tetor të vitit 2023 ky ligj nuk ka hyrë në procedurë parlamentare, në seancë komisioni apo në ndonjë seancat plenare të Kuvendit të RMV-së.

Nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor për Meta.mk konfirmuan se Ligji për Veprim Klimatik nuk është dërguar në Kuvend.

“Ligji për Veprim Klimatik është publikuar në portalin e-vlada dhe ka filluar procedura e koordinimit ndërinstitucional dhe marrjes së mendimeve nga resorët e tjerë”, njoftuan nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor më 17 tetor të vitit 2023.

Përgjigje më të detajuara se kur presin që deputetët ta miratojnë Ligjin në seancë parlamentare nga kjo Ministri nuk morëm.

Përndryshe nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor verën e kaluar sqaruan se miratimi i Ligjit për Veprim Klimatik në vend, i cili atëkohë kishte një afat të premtuar deri në vitin 2022, do të shtyhet, për shkak se Ligji për Veprim Klimatik ishte në fazën e rishikimit dhe komenteve nga Sekretariati i Komunitetit Energjetik, për shkak të harmonizimit të tij me Udhërrëfyesin për dekarbonizimin e Komunitetit Energjetik, sipas të cilit është e nevojshme të transpozohen disa kërkesa nga të ashtuquajturat rregullore për menaxhimin me Unionin Energjetik dhe Veprimin Klimatik.

Vetë zgjidhja ligjore është jashtëzakonisht domethënëse për trajtimin e ndryshimeve klimatike, por ajo gjithashtu prezanton edhe taksa të reja për ndotësit. Kështu, Ligji i ardhshëm për Veprim  Klimatik parasheh detyrime të reja për organet shtetërore dhe pushtetet lokale, prezantimin e organeve të reja me funksione të reja, si dhe një taksë të re për ndotësit – taksën e karbonit. Institucionet shtetërore do të duhet të formojnë një strukturë institucionale për monitorimin, raportimin dhe verifikimin e emetimeve të gazrave serrë, si dhe një Trup Koordinues Kombëtar për të gjitha masat dhe politikat e veprimit klimatik në vend.

Mbi bazë të të gjitha këtyre materialeve mund të konstatojmë se premtimi i qeverisë nga Programi i Punës për periudhën 2022-2024 se Ligji i Veprim Klimatik do të miratohet deri në vitin 2022 nuk është realizuar. Kjo zgjidhje ligjore ende nuk është miratuar nga Kuvendi i RMV-së, ndërsa nenet e këtij ligji do të hyjnë në fuqi atëherë kur do ta votojnë atë deputetët.

Burime: