Padi për policin në Maqedoninë e Veriut pasi pengoi kolegët të kryejnë detyrën zyrtare

Policia e Maqedonisë së Veriut ka ngritur kallëzim penal ndaj punonjësit të policisë pasi ka penguar kolegët të kryejnë detyrën zyrtare, transmeton Portalb.mk.

“Kallëzim penal kundër E.B., nëpunës policorë në Stacionin Policor Manastir, për shkak të ekzistimit të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale ‘pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare’, të dënueshme sipas nenit 382 të Kodit Penal”, njoftoi Policia e Maqedonisë së Veriut.

Ai kishte penguar nëpunësit policore që të marrin masa ndaj personit që kishte prishur rendin dhe qetësinë në Demir Hisar më 11 shkurt të këtij viti.

“Janë marrë masat e obligueshme për largim nga vendi i punës deri në marrjen e vendimit në procedurë disiplinore dhe përkohësisht i sekuestrohet arma”, sqaroi Policia, duke theksuar që kanë filluar masat ndaj tij për shkeljen e Marrëveshjes Kolektive.