Padi për ish-drejtorin e Fondit Pensional në Maqedoninë e Veriut

Policia e Maqedonisë së Veriut ka ngritur kallëzim penal ndaj ish-drejtorit të Fondit për Sigurim Pensional dhe Invalidor për keqpërdorimin e detyrës zyrtare, transmeton Portalb.mk.

“Kallëzim penal ndaj 45 vjeçarit D.B. nga Tetova për shkak ekzistimit të dyshimeve për kryerjen e veprës penale “keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar”, e dënueshme në bazë të nenit 353 nga Kodi Penal”, njoftoi Policia e Maqedonisë së Veriut.

Raportohet që ish-drejtori në periudhën prej 19 shkurtit të vitit 2022 deri më 17 mars të vitit 2023, si përfaqësues i Fondit ka nënshkruar kontrata pune me gjashtë persona fizik. Personat e angazhuar nuk kishin kryer punën e tyre, përkundër se ishin paguar në bazë të kontratës.

“Në këtë mënyrë, i padituri D.B. ka mundësuar që personat të përfitojnë gjithsej 1 387 558 denarë, ose 22 525 euro në dëm të Fondit për Sigurim Pensional dhe Invalidor në Maqedoninë e Veriut, gjegjësisht Buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, vlerësoi Policia.

Ndryshe, Drejtor i Fondit për Sigurim Pensional dhe Invalidor në këtë periudhë ka qenë Dritan Bexheti.