Kuvendi i RMV-së e miratoi Ligjin për falje, Ministria e Drejtësisë vlerësoi që ky ligj korrigjon mangësitë ligjore gjatë procesit të faljes 

Ministria e Drejtësisë ka vlerësuar që përmes këtij Ligji do të korrigjohen mangësitë dhe zbrazëtitë ligjore rreth çështjes për faljen e personave të dënuar nga sistemi gjyqësor në Maqedoninë e Veriut, transmeton Portalb.mk.

“Ajo që është e rëndësishme është që në të ka afate të sakta dhe janë specifikuar deri në fund ingerencat e të gjitha palëve të interesuara që marrin pjesë në proces”, njoftoi Ministria e Drejtësisë.

Ata theksojnë që për hartimin e këtij ligji, janë marrë përvojat nga shtetet e BE-së dhe shtetet që kanë sistem të ngjashëm juridik.

“Me Ligjin e ri për falje që është propozuar nga Ministria e Drejtësisë, Presidenti i Shtetit mund të falë vetëm për dënim, e jo edhe për ndjekje penale të personave të caktuar”, njoftoi Ministria, duke shtuar që ky ligj rregullon konceptin dhe llojet e faljes, efektin e faljes, personat e autorizuar për të dorëzuar lutje për falje, si dhe procedurën dhe aktet e organeve kompetente lidhur me faljen.