Padi penale kundër ish-kryetarit të Komunës së Strumicës dhe pesë personave të tjerë për keqpërdorim të prokurimit publik për autobusë elektrikë

Sektori për Punë të Brendshme në Strumicë ka ngritur padi penale ndaj disa personave, mes tyre ish-kryetari i komunës K.K., për keqpërdorime në procedurën e prokurimit të 10 autobusëve elektrikë. K.K. dyshohet se ka përfshirë në proces një person pa licencë të nevojshme profesionale, si dhe ka ndikuar që dokumentacioni i tenderit të përputhej me specifikat e autobusëve të blerë. Drejtori i NTP “Strumica-Transport” akuzohet për mosmbikëqyrje të duhur të procedurës. Anëtarët e komisionit të prokurimit, sipas SPB-së, kanë pranuar pjesëmarrjen e një personi të pakualifikuar në fazat teknike të tenderit. Këto veprime dyshohet se çuan në blerjen e autobusëve me rrezik për cilësinë, sigurinë dhe vlerën e tyre reale, transmeton Portalb.mk.

“Sektori për Punë të Brendshme Strumicë ngriti padi penale në Prokurorinë Themelore Publike të Strumicës kundër K.K. (35) nga Strumica për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i procedurës së thirrjes publike, dhënies së kontratës së prokurimit publik ose partneritetit publik-privat”, kundër D.P.S. (61) nga Strumica, K.B. (37) nga Bogdanci, L.J. (63) nga fshati Novo Sellë, Strumicë dhe L.Gj. (62) nga Strumica për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale “kryerje e pakujdesshme e detyrës” dhe kundër G.P. (58) nga Shkupi për shkak të dyshimit se ka ndihmuar në kryerjen e veprave penale “keqpërdorim i procedurës së thirrjes publike, dhënies së kontratës së prokurimit publik ose partneritetit publik-privat” dhe “kryerje e pakujdesshme të detyrës”, thonë nga MPB.

I pandehuri K.K., në cilësinë e ish-kryetarit të komunës së Strumicës, ka shkelur rregullat e procedurës së prokurimit publik për autobusë elektrikë për nevojat e NTP “Strumica-Transport” nga Strumica duke angazhuar të pandehurin G.P. si personin përgjegjës për t’iu përgjigjur pyetjeve teknike, për të marrë pjesë në vlerësimin teknik të ofertave, për të mbikëqyrur zbatimin dhe realizimin e plotë të kontratës, megjithëse nuk i posedonte kualifikimet e nevojshme profesionale dhe licencën e kërkuar A për mbikëqyrje në fushën e inxhinierisë elektrike të lëshuar nga Oda e Arkitektëve të Certifikuar dhe Inxhinierëve të Certifikuar. Gjithashtu, i pandehuri K.K. me vetëdije ka shkelur rregullat e procedurës së prokurimit publik duke rënë dakord me G.P. në atë mënyrë që dokumentacioni i tenderit të përfshijë specifikime që në mënyrë të qartë dhe pothuajse identike korrespondonin saktësisht me specifikimet e autobusëve elektrikë të blerë.

I padituri D.P.S., në cilësinë e drejtorit të NTP “Strumica-Transport”, ka vepruar me neglizhencë dhe nuk ka ushtruar mbikëqyrjen e duhur mbi të gjithë procedurën dhe zbatimin e prokurimit publik, me ç’rast më 12.03.2024 ka nënshkruar Kontratën për prokurimin publik të 10 autobusëve të rinj elektrikë përmes lizingut financiar, në të cilën procedurë ka marrë pjesë një person që nuk i kishte kualifikimet e nevojshme profesionale dhe licencën e nevojshme për mbikëqyrje në fushën e inxhinierisë elektrike.

I padituri K.B., në cilësinë e kryetarit të komisionit të prokurimit publik në NTP “Strumica-Transport”, së bashku me të paditurit L.J. dhe L.Gj., si anëtarë të komisionit të prokurimit publik, në dokumentacionin e tenderit për procedurën e hapur për prokurimin publik të autobusëve elektrikë për transportin publik nëpërmjet lizingut financiar për nevojat e NTP “Strumica-Transport”, e përcaktuan aplikuesin G.P., i cili ishte mbajtës vetëm i një licence B për mbikëqyrje në fushën e inxhinierisë elektrike, se nuk ishte i kualifikuar për ato detyra pune në prokurimin publik në fjalë, dhe nuk kishte të drejtë të përgjigjej në pyetje teknike, të merrte pjesë në vlerësimin teknik të ofertave, të mbikëqyrte zbatimin dhe realizimin e plotë të kontratës. Veprimet e lartpërmendura rezultuan në blerjen e 10 autobusëve elektrikë për një shumë prej 429,933,595 denarë, të cilët shkaktuan dëme materiale në shkallë më të madhe, dhe mungesa e një personi me kualifikimet e nevojshme profesionale dhe licencën e kërkuar A për mbikëqyrje në fushën e inxhinierisë elektrike vuri në pikëpyetje vlerën reale, cilësinë, sigurinë dhe besueshmërinë e specifikimeve teknike të autobusëve elektrikë të blerë.

Ish-kryetari i  Strumicës, Kostadin Kostadinov, nga ana tjetlr ka mohuar akuzat se gjatë kohës që ishte në detyrë ka abuzuar me një procedurë të prokurimit publik për 10 autobusë elektrikë.

“Projekti me rëndësi strategjike për Strumicën, nga i cili sot në praktikë të gjithë banorët kanë përfitime të qarta ekonomike, mjedisore dhe të trafikut, u iniciua proceduralisht nga komuna, u votua nga Këshilli i Komunës së Strumicës, me udhëzime të qarta për themelimin e një Kompanie të Transportit Publik, zbatimin e një prokurimi publik për autobusët dhe zbatimin e projektit”, shkroi Kostadinov në një postim në Facebook.

Ai shtoi se është i bindur se këto hapa janë zbatuar në përputhje me ligjet në fuqi.

Në një reagim të publikuar në profilin e tij në Facebook, Kostadinov tha se nuk do të donte të bënte koment politik në lidhje me rastin dhe shtoi se mbetet në dispozicion të autoriteteve kompetente për të, siç thotë ai, sqaruar se si është zbatuar projekti, i cili tha se po funksionon pa probleme.