Padi penale kundër dy personave nga RMV, kontrabanduan iPhone
Doganierët kanë ngritur kallëzime penale kundër dy personave që kontrabanduan iPhone me vlerë 355 mijë denarë, njoftoi Drejtoria Doganore, transmeton Portalb.mk.
Krimi u zbulua në hyrje të pikës kufitare Novo Sello, kur gjatë një kontrolli të detajuar të automjetit me të cilin udhëtonin të dyshuarit, në bagazhin e automjetit u zbuluan gjithsej pesë iPhone 16 të rinj, tre prej të cilëve ishin iPhone 16 Pro Max, si dhe një iPhone 16 Pro Max i përdorur.
“Rasti është transferuar në Departamentin e Hetimeve të Sektorit të Kontrollit dhe Hetimeve, ku janë ndërmarrë veprime para-hetimore. Procedura ka përcaktuar se i dyshuari i parë, në marrëveshje me të dyshuarin e dytë, ka marrë në emër të tij telefonat celularë që më parë ishin porositur në internet nga një person në Bullgari, për të cilët janë paguar pesë mijë euro në kriptomonedhë. Pas marrjes në dorëzim, telefonat janë fshehur në bagazhin e automjetit me qëllim që të shmangin kontrollin doganor dhe pagesën e detyrimeve ndaj shtetit në vlerë prej 64 mijë denarësh. Telefonat janë sekuestruar, dhe kundër autorëve është ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike të Strumicës”, thuhet në kumtesë.