Osmani: Pulla e posaçme postare “Fjala është për njerëzit” do të dëshmojë kryesimin tonë me OSBE-në

Kryesuesi i OSBE-së dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani dhe Drejtorja e Postës së Maqedonisë së Veriut, Bujare Abazi, sot promovuan pullën postare të lëshuar me rastin e kryesimit të Maqedonisë së Veriut me organizatën më të madhe rajonale të sigurisë në Evropë, OSBE-në, njoftojnë nga MPJ, transmeton Portalb.mk.

Promovimi zyrtar në qendrën sportive “Boris Trajkovski” në Shkup, e cila po përgatitet të presë delegacionet e larta të vendeve pjesëmarrëse dhe partnere të OSBE-së në Këshillin e Ministrave, u mbajt në prani të Presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski dhe ambasadorëve të huaj në vend.

 

“Që kujtimi i kryesimit të OSBE-së të jetë i përhershëm, lëshuam një botim special të një pulle postare ceremoniale. Kjo pullë postare do të jetë shembull i rrallë në koleksionet filatelike në mbarë botën dhe do të mbetet dëshmitare e një kohe të përparimit të dukshëm të vendit në nivel ndërkombëtar”, tha Osmani në promovim.

Drejtorja e Postës së Maqedonisë së Veriut, Bujare Abazi, duke folur në promovimin e pullës postare, theksoi se pulla postare jo vetëm që përfaqëson vendin, por edhe dërgon një mesazh të fortë.

“Dora e shtrirë, humanizmi dhe mbrojtja e njerëzve nuk njeh kufij dhe duhet të jetë në fokus të punës sonë”, tha Abazi.

“Numërohen orët deri në Këshillin Ministror të OSBE-së, i cili do të mbahet në Shkup nga 29 nëntori deri më 1 dhjetor”, tha Kryesuesi, Osmani.

“Detyra jonë është të tregohemi si nikoqirë të mirë dhe nuk kam asnjë dyshim se këtë test do ta kalojmë me notat më të larta. Sa i përket vlerësimeve të kryesimit të vendit tonë me OSBE-në, jam i sigurt se do të mbetet si vulë mes partnerëve dhe miqve tanë”, tha Osmani.

Këshilli Ministror i OSBE-së është ngjarja më e madhe në historinë e Maqedonisë së Veriut si për nga dimensioni ashtu edhe për nga rëndësia për vendin. Në Këshillin Ministror pritet të marrin pjesë 76 delegacione të shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së dhe partnerëve, të përfaqësuar në nivel të ministrave të jashtëm ose më shumë se 1000 përfaqësues të delegacioneve.