Osmani premtoi se Ligji për pagën minimale do të analizohet

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Ligji për pagën minimale do të analizohet para dekretimit, raporton Koha.net. Në takimin me përfaqësuesit e organizatave të dala nga lufta e UÇK-së i njoftoi ata se Ligji për Pagën Minimale ende ndodhet në Kuvend dhe sapo të vjen në Presidencë do të trajtohet nga ana e ekspertëve ligjorë në Presidencë dhe në përputhje me kompetencat kushtetuese të institucionit të Presidencës.

“Sipas Presidentes Osmani, ky Ligj do të analizohet nga Zyra e Presidentes dhe më pas do të veprohet në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese e ligjore të Presidentes dhe duke pasur parasysh rëndësinë e trajtimit të dinjitetshëm të këtyre kategorive”, thuhet në komunikatën e Presidencës.

Përfaqësuesit e organizatave adresuan shqetësimet e tyre në raport me përmbajtjen e Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore, që u miratua javën e kaluar në Kuvendin e Kosovës.

Organizatat e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë përsëritur qëndrimin e tyre se do t’i bllokojnë deputetët që të mos hyjnë në Kuvend për punën e tyre, po që se dekretohet Ligji për pagën minimale, që nuk garanton rritjen e pensionit të veteranit në lartësinë e pagës minimale.