Osmani në takim me Ministrat e Ballkanit Perëndimor në OKB: Integrimi i parakohshëm nënkupton përfitime konkrete edhe para anëtarësimit në BE

Delegacioni shtetëror i kryesuar nga presidenti Stevo Pendarovski nga sot deri më 22 shtator po merr pjesë në seancën e 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, transmeton Portalb.mk.

Në delegacionin shtetëror të Maqedonisë janë zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot në kuadër të Debatit të Përgjithshëm të OKB-së, në Nju Jork, mori pjesë në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të shteteve të Ballkanit Perëndimor, të organizuar nga Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Antonio Tajani.

Takimi u mbajt në kontekst të fokusit të shtuar të Italisë drejt përshpejtimit të procesit të integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe inkurajimit të bashkëpunimit rajonal.

“Qytetarët duhet t’i ndjejnë përfitimet konkrete të anëtarësimit në BE përderisa rrjedhin negociatat, e jo vetëm pas hyrjes formale në BE. Përmes konceptit “Integrimi para anëtarësimit” do të kthehet kredibiliteti i zgjerimit të BE-së, ndërsa qytetarët do ta kthejnë besimin për proces negocioues të suksesshëm dhe për kapërcimin me sukses të sfidave me të cilat ballafaqohemi gjatë integrimit”, theksoi Osmani.

Në fokus të takimit ishte edhe bashkëpunimi rajonal. Procesi i Berlinit vazhdon të jetë një nismë gjithëpërfshirëse rajonale me peshë më të madhe politiko-ekonomike, forcë lëvizëse e bashkëpunimit rajonal në nivelin më të lartë dhe iniciator i Tregut të Përbashkët Rajonal të Ballkanit Perëndimor dhe Agjendës së Gjelbër.

Ministri Osmani e theksoi rëndësinë e Iniciativës 8 ndërmjet Italisë, Shqipërisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke thënë se ajo paraqet një mundësi të shkëlqyer për të avancuar bashkëpunimin dhe për të mbështetur realizimin e Korridorit VIII pan-evropian.

“Përfundimi i lidhjes hekurudhore dhe autostradës dukshëm do të kontribuojë në rritjen ekonomike të rajonit dhe integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE”, tha Osmani.

Presidenti Pendarovski në Nju Jork u takua me kancelarin gjerman Scholz

Presidenti Stevo Pendrovski, në margjinat e Asamblesë së 78-të të Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, sot në Nju Jork u takua me kancelarin e Republikës Federale të Gjermanisë, Olaf Scholz.

Në takim u bisedua për bashkëpunimin bilateral ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Gjermanisë, perspektivën evropiane të vendit dhe zhvillimet aktuale në rajon, ndërsa presidenti Pendarovski informoi për ecurinë e negociatave për anëtarësim të vendit në Bashkimin Evropian.

Presidenti Pendarovski shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen dhe përkushtimin parimor nga Gjermania si një nga aleatët tanë më të afërt dhe shprehu pritjen e tij për mbështetje të mëtejshme të fuqishme nga autoritetet gjermane në procesin e negociatave për anëtarësim, duke theksuar se përshpejtimi i proceseve integruese është në interes të stabilitetit politik, të sigurisë dhe ekonomik të të gjithë rajonit.

Stevo Pendarovski, Olaf Scholz. Foto: Kabineti i presidentit të RMV-së
Stevo Pendarovski, Olaf Scholz. Foto: Kabineti i presidentit të RMV-së

Ndërkohë më 22 shtator, Pendarovski do të mbajë fjalim në Debatin e Përgjithshëm të sesionit të 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, i cili mbahet nën temën “Rindërtimi i besimit dhe rifillimi i solidaritetit global: Përshpejtimi i veprimit në agjendën 2030 dhe objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm drejt paqes”. prosperitet, progres dhe qëndrueshmëri për të gjithë”, njoftoi kabineti i presidentit.

Në kuadër të pjesëmarrjes në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, është paraparë që Pendarovski të ketë takim me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, me ç’rast do t’i akordojë OKB-së Urdhrin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Pendarovski do t’i drejtohet Këshillit të Sigurimit në debatin e hapur me temë “Përkrahja e qëllimeve dhe parimeve të Kartës së OKB-së përmes multilateralizmit efektiv: ruajtja e paqes dhe sigurisë në Ukrainë”.

Kreu i Shtetit do të marrë pjesë gjithashtu në hapjen e Forumit të Nivelit të Lartë Politik për Zhvillimin e Qëndrueshëm nën kujdesin e Asamblesë së Përgjithshme dhe do të trajtojë dialogun e lidershipit “Rritja e aktiviteteve kyçe të tranzicionit për përshpejtimin e progresit të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm”.

Gjatë pjesëmarrjes në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, shtojnë nga kabineti presidencial, Pendarovski do të ketë takime bilaterale edhe me krerë të tjerë të shteteve, pjesëmarrës të Asamblesë së Përgjithshme.

Gjatë qëndrimit në SHBA, Pendarovski do të jetë i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Elizabeta Gjorgievska, ndërsa do të vizitojë Nju Xhersin, ku është paraparë të takohet me përfaqësues të komunitetit maqedonas. Ai do të vizitojë edhe Çikagon, ku do të marrë pjesë në darkën gala humanitare “Rrugët drejt prosperitetit” të organizuar nga bordi i drejtorëve të “Maqedonia2025” dhe do të dekorojë drejtorin e Boeing, David L. Calhoun me Urdhrin “8 Shtator”.

Kujtojmë se lufta në Ukrainë pritet të jetë temë kryesore për të dytin vit me radhë, kur udhëheqësit të mblidhen në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Shumë nga vendet në zhvillim po shpresojnë t’i kushtohet vëmendje çështjeve të rëndësishme për ta, përfshirë zhvillimin, inflacionin dhe ndryshimin klimatik.